Valieva lejohet të vazhdojë garën: 'Do të ishte dëm i pariparueshëm për një fëmijë'

Kamila Valieva mund të vazhdojë konkurimin në Lojërat Olimpike Dimërore pasi Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (Cas) vendosi që asnjë lloj pezullimi nuk duhet të vendoset për 15-vjeçaren pasi ajo nuk doli mirë në një analizë për drogë.

Cas tha se ndalimi i patinatores ruse nga gara do t'i shkaktonte asaj "dëm të pariparueshëm".

“Sportistja duhet të përfitojë nga rrethanat e mëposhtme të jashtëzakonshme: Ajo është nën 16 vjeç dhe një person i mbrojtur sipas kodit të Agjencisë Botërore Anti-Doping (Wada),” shtoi Matthieu Reeb i Cas.

Cas, e cila është gjykata më e lartë e sportit, tha se "çështjet e rëndësishme të njoftimit të parakohshëm të rezultateve" të analizës që nuk doli mirë - të cilat dolën gjatë Lojërave dhe gati gjashtë javë pasi ajo bëri analizën - kishin luajtur gjithashtu një rol në vendimin e tij.

“Një njoftim i tillë i vonuar nuk ishte faji i saj, mu në mes të Lojërave Olimpike Dimërore”, thuhet në vendim.

Valieva, për analizën e dështuar më  25 dhjetor të vitit të kaluar, ishte pezulluar përkohësisht më 8 shkurt, por e kundërshtoi vendimin dhe Agjencia Ruse Anti-Doping (Rusada) ia hoqi ndalimin të nesërmen.

Në atë kohë ajo kishte konkurruar tashmë dhe kishte ndihmuar Komitetin Olimpik Rus të fitonte në garën ekipore, megjithëse medaljet për këtë nuk do të shpërndahen derisa të përfundojë çështja e plotë antidoping.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), Wada dhe Unioni Ndërkombëtar i Patinazhit filluan një apel kundër vendimit të Rusada për të hequr pezullimin e përkohshëm, gjë që Cas e ka refuzuar tani.

Tashmë ajo është e lirë të garojë të martën në garën individuale të patinazhit për femra, ku është favorite për medaljen e artë.

Ndërsa e ardhmja e saj e menjëhershme olimpike është zgjidhur, ky rast që ka lënë në hije Lojërat dhe ka provokuar zemërim se si një fëmijë u përfshi në një rast të dyshuar të dopingut, nuk ka përfunduar.

Wada ka thënë tashmë se do të hetojë rrethin mbështetës të adoleshentes, si trajnerë, mjekë dhe të rritur të tjerë që e rrethojnë, ndërsa çështja aktuale e testit të dështuar ende nuk është zgjidhur.

Kjo do të thotë se ajo mund të fitojë një medalje në garën individuale dhe t'i hiqet në një datë të mëvonshme.

IOC kishte thënë më herët se do ta ndiqte vendimin e Cas, "na pëlqen apo jo". Ndërkohë Komiteti Olimpik i SHBA tha se ishte "i zhgënjyer nga mesazhi që dërgon ky vendim".