Kriza në Ukrainë: Biden dhe Putin do të diskutojnë sërish në telefon të shtunën

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së Joe Biden do të zhvillojnë një bisedë telefonike të rëndësishme të shtunën, pasi tensionet mbi një pushtim të mundshëm të afërt të Ukrainës u përshkallëzuan ndjeshëm një ditë më parë.

Para se të flasë me Biden, Putin do të ketë gjithashtu një bisedë telefonike me Presidentin francez Emmanuel Macron. Të dy në fakt u takuan në Moskë në fillim të javës në përpjekje për të zgjidhur krizën.

Rusia ka grumbulluar trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe ka dërguar trupa në Bjellorusinë fqinje për stërvitje të përbashkëta. Megjithatë, Kremlini mohon me këmbëngulje se synon të nisë një ofensivë kundër Kievit.

Duke e shtuar ndjenjën e krizës, Pentagoni urdhëroi një shtim prej 3,000 trupash amerikane në Poloni për të siguruar aleatët e vet.

Biden ka thënë se ushtria amerikane nuk do të hyjë në një luftë në Ukrainë, por ai ka premtuar sanksione të rënda ekonomike kundër Moskës në bashkëpunim me aleatët ndërkombëtarë.

Shtetet u bëjnë thirrje qytetarëve të largohen ndërsa tensionet rriten

Koha e çdo aksioni të mundshëm ushtarak rus mbetet një pikëpyetje thelbësore.

Sipas një zyrtari amerikan në dijeni të ngjarjet shërbimeve sekrete ameriaken, Rusia po e shikon të mërkurën si një datë të mundshme.

Zyrtari, i cili nuk ishte i autorizuar të fliste publikisht dhe e bëri këtë vetëm në kushte anonimiteti, nuk mund të thoshte se sa i saktë ishte informacioni sekret dhe Shtëpia e Bardhë theksoi publikisht se SHBA nuk e di me siguri nëse Putini është i përkushtuar për pushtim.

Megjithatë, zyrtarët amerikanë thanë sërish se ngritja e fuqisë sulmuese ajrore, tokësore dhe detare të Rusisë pranë Ukrainës kishte arritur në pikën ku mund të pushtonte brenda një kohe të shkurtër.

Më herët, Departamenti Amerikan i Shtetit urdhëroi familjet e punonjësve të ambasadës amerikane në Kiev të largoheshin.

Shtëpia e Bardhë u bëri thirrje gjithashtu të gjithë qytetarëve amerikanë në Ukrainë që të largohen, duke theksuar se nuk duhet të presin që ushtria amerikane t'i shpëtojë nëse transporti ajror dhe hekurudhor ndërpritet pas një pushtimi rus.

Disa vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Kanadanë, Norvegjinë dhe Izraelin, kërkuan gjithashtu shtetasit e tyre të largoheshin nga Ukraina.