‘Lufta shpërthen brenda 4 ditësh’/ Përse SHBA po shton paralajmërimet

Rusia mund të pushtojë Ukrainën brenda pak ditësh. Me shumë gjasë kjo do ndodhë në mesjavën tjetër. Kështu kanë paralajmëruar zyrtarët e lartë amerikanë. A shërben kjo strategji paralajmërimesh për të penguar planet e Rusisë? Apo frika është e bazuar?

Nga Barbara Plett Usher, BBC

SHBA ka qenë në front duke paralajmëruar aleatët e saj europianë për mundësinë e një sulmi rus në Ukrainë. Por tashmë ka një rritje të dukshme të urgjencës.

Amerikanët janë të shqetësuar nga grumbullimi i vazhdueshëm i trupave ruse, nga mënyra se si janë pozicionuar dhe nga fillimi i stërvitjeve ushtarake, që mund të shërbejnë si fillim i shpejtë për një pushtim.

Vlerësimet e fundit të inteligjencës e kanë shtyrë presidentin Biden që të mbledhë aleatët e ngushtë të premten për t’u thënë atyre se beson se presidenti Putin mund të japë shumë shpejt urdhrin përfundimtar për sulm, sipas këshilltarit të Sigurisë Kombëtarë të SHBA, Jake Sullivan.

Këshilltari më i lartë ushtarak i zotit Biden, gjenerali Mark Milley bëri një numër të pazakontë telefonatash me shpejtësi- me homologët e tij në Rusi, Kanada, Britaninë e Madhe dhe Europë.

Administrata është akuzuar nga disa se ka kontribuar në përshkallëzimin e retorikës së saj. Por ajo ka vendosur ‘të jetë sa më transparente të jetë e mundur’ me ndarjen e informacionit, tha zoti Sullivan, duke e llogaritur qartë se kjo është pjesë e strategjisë së saj parandaluese.