Këshilltarët bashkiakë në Austin akuzojnë policinë për antisemitizëm, si dhe donacionet e Sorosit për prokurorët

Anëtarë të këshillit bashkiak të Austinit kanë akuzuar departamentin e policisë të kryeqytetit të Teksasit për antisemitizëm pasi sindikata lokale e policisë dha alarmin për një valë krimi në vend dhe për fondacionet e miliarderit George Soros për kandidatët demokratë për prokurorë rrethi.

"Votuesit në Austin kanë përqafuar kandidatët e financuar nga Soros dhe fushatat mediatike kundër sigurisë publike”, postoi në Twitter  shoqata e policisë së Austin më 4 dhjetor 2021, përkrah një artikulli nga Fox News që vinte në dukje rritjen e krimit në qytetet e drejtuara nga zyrtarë të financuar nga donatori liberal i cili ka nxitur haptazi udhëzimet për dorë të butë në ndjekjet penale. “Vrasjet në nivel historik dhe vazhdojnë të rriten në Austin. Forca policore në rënie. Soros financoi një Prokuror Distriktual me rekord të dobët në uljen e krimeve të dhunshme”.

Orë më pas, në një email të cilin e ka siguruar Fox News, këshilltarja liberale në Këshillin Bashkiak në Austin, Alison Alter, i thoshte shefit të policisë të qytetit, Joseph Chacon, se ajo i “interpreton” tuitimet si “antisemiste” dhe i barazoi me një numër parullash qartazi antisemiste që janë vënë në një park lokal.

Më 5 dhjetor, Donald Baker, sekretar i Shoqatës së Policisë së Austin dhe komandant në Departamentin e Policisë në Austin, iu përgjigj këshilltareve Alter dhe Leslie Pool në emër të sindikatës së policisë, duke i pyetur se çfarë ishte konkretisht antisemiste në lidhje me postimin dhe shpjegoi se shoqata e policisë kontaktoi me anëtarët e komunitetit hebre dhe u sigurua se nuk kishte asgjë fyese për sa i përket postimit në Twitter.

“Anëtarët tanë e dinë se çfarë do të thotë dhe si ndihesh personalisht kur je objekt mesazhesh urrejtjeje, i vizatimeve grafike në ndërtesa publike, dhe i protestave të neveritshme të lidhura me dhunën fizike. Ne si Shoqata e Policisë Austin nuk marrim pjesë në ato lloje aktivitetesh dhe as nuk ndajmë të njëjtin qëndrim”, shkruan Baker. “Në fakt, ne jemi grupi që vazhdimisht kemi kërkuar burime shtesë policore për të qenë në gjendje të trajtojmë siç duhet krimet e urrejtjes, veprat penale në parqe dhe rrugë publike, ose çrregullime të përgjithshme që çojnë në rritjen e frikës nga krimi dhe trazira sociale në Austin”.

Baker shtoi se është "jashtëzakonisht shqetësuese" kur zyrtarët e zgjedhur bëjnë akuza për racizëm ose antisemitizëm ndaj policisë dhe se sinqerisht do ta vlerësonte dhe mirëpriste “nëse ju të dyja kërkoni ndjesë për atë çka duket si një shpifje e pajustifikuar për anëtarët tanë dhe Shoqatën e Policisë së Austin”.

Alter iu përgjigj duke thënë se tuiti i Shoqatës së Policisë së Austinit “rrezikonte t’i bënte rezidentët hebrenj të ndiheshin më pak të sigurt” dhe “e inkurajon edhe më tepër dhunën e urrejtjen”. Alter rreshtonte edhe disa arsye pse mendonte se postimi ishte përçmues karshi hebrenjve.

"Postimi juaj përsërit një stereotip të zakontë dhe bërjen kokë turku të hebrenjve për problemet që ka qyteti ynë”, shkruante Alter. "Postimi juaj inkurajon zemërim karshi hebrenjve duke individualizuar një person hebre gjasme konspirator për minimin e sigurisë në qytetin tonë. Është e qartë se përmendja e Sorosit për dënuar politikat është antisemitizëm i i zakonshëm e i përsëritur”.

Pool dhe Alter votuan të dyja në favor të shkurtimit të fondeve për departamentin e policisë në gusht 2020. Asnjë prej tyre nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura për koment nga Fox News.

Soros ka derdhur miliona dollarë vitet e fundit në fushata politike në qytete si Los Angeles, San Francisco e Philadelphia, duke ndihmuar të zgjidhen prokurorë që janë të njohur për butësi në ndjekje penale dhe për lejimin e kriminelëve në pritje të gjyqit që të kthehen në rrugë.

Shumë nga ato qytete, përfshirë Philadelphia, Los Angeles e St. Louis, kanë përjetuar rritje rekord vrasjesh dhe krimesh të dhunshme gjatë viteve të fundit.

Një nga ata funksionarë politikë është Prokurori i Travis County, Jose Garza, një demokrat që e mori detyrën në Austin në janar 2021 pasi mori mbi 500 mijë dollarë nga një organizatë jo-fitimprurëse e përkrahur nga Soros.

Në vitin e parë të Garzës në detyrë, në Austin u kalua rekordi i vrasjeve vjetore dhe departamenti i policisë, tashmë pa personel të mjaftueshëm pas vendimit të Këshillit Bashkiak më 2020, u detyrua të mos iu përgjigjej më telefonatave jo-urgjente, çka bëri që qytetarët në disa raste t’i zgjidhnin vetë situatat.

Më tej, zyra e Garzës është kritikuar për butësi në përndjekje penale çka ka rezultuar në kthimin në rrugë të kriminelëve të dhunshëm pavarësisht se janë akuzuar për krime serioze.

Teksa vrasjet dhe krimet e dhunshme rriten para syve të Garzës, Soros dhuroi 500 dollarë në një përpjekje të suksesshme për të hedhur poshtë një propozim që mund të kthente një pjesë të fondeve dhe të personelit të shkurtuar të departamentit të policisë.