Kriza në Ukrainë, Papa Françesku: Lufta është marrëzi

Pas katekizmit të audiencës së përgjithshme Papa i falënderoi të gjithë njerëzit që, më 26 janarin që kaloi, u lutën për paqen në vendin lindor evropian. Më pas kërkoi të vijojë lutja drejtuar Zotit, që gjithçka të zgjidhet “me një dialog serioz”

Pasi bëri përsëri thirrje për paqen në Ukrainë, në audiencën e përgjithshme, Papa Françesku, i shkëputi sytë nga karta, që mbante në dorë e u duk sikur po i drejtohej çdo njeriu. Madje mbarë botës, shkruan radio Vatikani. Ai po i drejtohej me  fjalë të dala jo nga letra, por nga shpirti, shoqëruar me një psherëtimë të thellë:

“Nuk duhet ta harrojmë kurrë  - kujtoi duke i theksuar fort fjalët -  lufta është marrëzi!”.

E këto fjalë i tha pasi i pati falënderuar të gjithë ata që, më 26 janarin e kaluar, u bashkuan me të në lutje për paqen në Ukrainë. Duke i nxitur  të vijojnë ta lusin Zotin e paqes “që të marrin fund tensionet e kërcënimet e luftës, përmes dialogut serioz”.