Amerikani vret veten, pasi qëlloi për vdekje aksidentalisht vëllanë në vend të ariut
Një burrë nga Oregoni i Shteteve të Bashkuara e ka vrarë veten, pasi aksidentalisht e vrau vëllanë e vet derisa ishte duke e mbushur armën për të qëlluar një ari në pronën e tyre, tha policia lokale.
Burri i thirri shërbimet urgjente për ta raportuar tragjedinë, por ia ktheu armën vetes para se në vendin e ngjarjes të arrinte policia, shkruan BBC.
Incidenti ndodhi të martën në mëngjes në një zonë rurale të distriktit Josephine, në veri të kufirit me Kaliforninë. Asnjëri nga burrat e përfshirë në këtë rast nuk janë identifikuar.
Rreth 25.000 arinj të zinj jetojnë në Oreagon dhe pronarët e shtëpive këshillohen që ta shmangin përballjen me ta.
Sipas zyrës së Sherifit në distriktin Josephine, personi që i telefonoi shërbimet urgjente tha se ishte duke e mbushur armën me qëllim që ta qëllonte ariun. Kur policia shkoi në shtëpinë e tyre, i gjeti të vdekur të dy burrat, secili me nga një plagë nga arma e zjarrit.
Shtimi i lejeve për armëmbajtje në Shtetet e Bashkuara është shoqëruar nga shkalla më e lartë e vdekjeve dhe lëndimeve të shkaktuara nga shkrepjet e paqëllimshme.
Gati 500 njerëz vdesin në vit në Shtetet e Bashkuara nga të shtënat e paqëllimshme, sipas të dhënave të Fondit Edukues për Ndaljen e Dhunës me Armë.