Vritet një tjetër gazetar në Meksikë, i pesti këtë vit: në redaksi me djalin e tij

Mexico City - Një gazetar meksikan u qëllua dhe u vra në shtetin jugor Oaxaca të enjten, siç njoftoi policia, vrasja e fundit kjo në një varg vdekjesh gazetarësh që i kanë shtyrë ligjvënësit amerikanë të shtrëngojnë Meksikën që të shtojë mbrojtjen për ta.

Heber Lopez, një gazetar i paanshëm që drejtonte NoticiasInternet, u qëllua dhe u vra, thanë oficerët e policisë. Lopez u sulmua në studion e tij të regjistrimit. Dy persona janë arrestuar në lidhje me krimin, megjithëse hetimi është ende në vazhdim.

I ndjeri është qëlluar pesë herë në zyrën e tij, që ndodhet në qendër të qytetit, rreth orës tetë të pasdites dhe në prani të djalit të tij.

Zona ndodhet ende e rrethuar nga agjentë të Gardës Kombëtare dhe Agjencisë Shtetërore të Hetimit.

Lopez, i cili punonte në metropolin portual Salina Cruz, kishte marrë kërcënime vdekjeprurëse që në vitin 2019, sipas disa  mediave vendase.

Gazetari zakonisht shkruante për politikën dhe korrupsionin në autoritetet e vendit, tha Rodolfo Canseco, drejtori i RCP Noticias.

Vdekja e tij është e pesta dhe më e fundit në një seri sulmesh kundër gazetarëve në Meksikë gjatë javëve të fundit. Tre gazetarë dhe një punonjës i medias u vranë në muajin janar dhe një ish-gazetar u vra të shtunën mbrëma.