Kriza në Ukrainë/ Kievi sheh zgjidhje diplomatike

Ukraina beson se ka ende një shans për të zgjidhur konfrontimin e Perëndimit me Rusinë përmes diplomacisë pas përpjekjeve të bëra nga evropianët ditët e fundit, por vëren se tashmë ka arsye për të vendosur sanksione ndaj Moskës, tha sot ministri i jashtëm ukrainas Dmytro Kolamba. 

"Ka një mundësi reale për një zgjidhje diplomatike sot," tha ai, duke iu referuar homologut spanjoll Jose Manuel Albares, i cili po viziton Kievin, duke shtuar se situata "është e tensionuar, por nën kontroll".

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërcënuar se do të vendosin sanksione ndaj Rusisë nëse ajo sulmon Ukrainën.

Ndërsa  Moska e ka mohuar planifikimin e një pushtimi.

 "Këto sanksione janë krijuar për t'u vendosur në rast të një vale të mëtejshme ose të re të përshkallëzimit ushtarak, të agresionit rus kundër Ukrainës," tha Kolamba.

Sipas Kolambas, Rusia po provokon tensionet aktuale sepse “po përpiqet të hakmerret pas humbjes së BRSS në Luftën e Ftohtë”.

Ministri ukrainas  gjithashtu vlerësoi se "qëllimi është të ruhet e gjithë arkitektura e sigurisë në Evropë", e cila është ndërtuar 30 vjet më parë.

Nga ana e tij, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka theksuar se Kievi duhet të ndërmarrë veprime kundër Rusisë përpara se të nisë një sulm.

Ministri i jashtëm ukraianas tha gjtihashtu se Moska tashmë kishte shkelur ligjin ndërkombëtar dhe se kjo ishte baza për vendosjen e sanksioneve ndaj saj.

Ai i referohej lëshimit të pasaportave ruse për disa shtetas ukrainas në zonat në pjesën lindore të vendit të kontrolluara nga guerilët separatistë pro-rusë kur foli për shkeljet e ligjit ndërkombëtar nga Rusia.

"Disa sanksione mund të vendosen më shpejt, siç janë tani, për të demonstruar seriozitetin e synimeve dhe gatishmërinë për të ndërmarrë veprime," theksoi Kolamba.

Më shumë se 700,000 pasaporta ruse janë lëshuar për banorët e Ukrainës lindore që kur kryengritësit separatistë morën kontrollin e rajonit në vitin 2014.

Parlamenti rus do të diskutojë një apel drejtuar presidentit rus Vladimir Putin për të njohur territoret si shtete të pavarura.