VIDEO-SYRI TV/ Emigracioni sjell boshllëk në vendet e punës, pagat e ulëta, të rinjtë zgjedhin emigrimin

Një e katërta e punësimeve të reja janë zëvendësime për shkak të pensionit apo nga emigracioni. Të dhënat e përpunuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se gjatë viteve 2019-2020 ka pasur një rritje të zëvendësimeve, kjo per shkak të rritjes së emigracionit.

Nga SYRI TV

Përgjatë viteve 2019-2020 vendet e reja të punës në një përqindje të lartë janë zëvendësime dhe jo vende të reja pune. Të dhënat e përpunuara nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive tregojnë se, zëvendësimi i punonjësve ofron një të katërtën e vendeve të reja të punës.

Zëvendësimet kryhen për shkak të daljes në pension dhe emigrimit të fuqisë punëtore. Agjencia e Punësimit njoftoi se gjatë vitit 2020 u shpallën 25,141 vende të lira pune, ku 24% ishin zëvendësime ndërsa në vitin 2019 zëvëndësimet përbënin 30% të vendeve të lira.

Numri më i lartë i vendeve të lira është marrë nga industria përpunuese (49%), informacioni dhe komunikacioni (12%), dhe ndërtimi (8%). Analiza tregon se mospërputhje  të kërkesës me ofertën, e cila reflektohet në çdo kategori profesionale raporton Monitor.

Zyrat e Punësimit kanë mundur të plotësojnë vetëm 41% të vendeve të lira të shpallura më 2020. Një pjesë e konsiderueshme e të papunëve te regjistruar në këtë kategori nuk arrijnë të punësohen për shkak të moshës, arsimit dhe profesioneve specifike që ata kanë.

Numri mesatar i të papunëve të regjistruar në Zyrat e Punës gjatë 2020, ishte 82,921 individë.

Duke e analizuar regjistrin e të papunëve sipas moshës dhe arsimit, vihet re se rreth 49% e totalit të tyre janë mbi 45 vjeç dhe 56% me arsim deri 9 vjeçar, çka e vështirëson integrimin e këtyre në tregun e punës.