McConnell qorton Komitetin Kombëtar Republikan dhe e quan 6 Janarin 'kryengritje të dhunshme'

Uashington - Udhëheqësi republikan i Senatit Mitch McConnell e ka kritikuar Komitetin Kombëtar Republikan për censurimin e dy ligjvënësve republikanë të Dhomës së Përfaqësuesve që po hetojnë "kryengritjen e dhunshme" të 6 janarit 2021, duke thënë se nuk është detyrë e partisë të kontrollojë pikëpamjet e ligjvënësve.

Ndërkohë që ish-Presidenti Donald Trump e ka minimizuar sulmin nga mbështetësit e tij vitin e kaluar - sulmi më i keq kundër Kapitolit në dy shekuj – Komiteti Kombëtar Republikan javën e kaluar mori një votë me zë për të miratuar censurimin e deputetëve Liz Cheney nga Ëyoming dhe Adam Kinzinger nga Illinois në takimin e partisë në Solt Lake City.

Dy republikanët bëjnë pjesë në një komitet të Dhomës së Përfaqësuesve të udhëhequr nga demokratët, i cili po heton në mënyrë të rreptë rrethimin dhe ka thirrur shumë në pyetje nga rrethi i brendshëm i ish-Presidentit.

Rezoluta e Komitetit Kombëtar Republikan, duke censuruar Cheney dhe Kinzinger, akuzon trupën e Dhomës së Përfaqësuesve për udhëheqjen e një "persekutimi të qytetarëve të thjeshtë të përfshirë në diskursin legjitim politik" - fjalë që shkaktuan zemërim nga demokratët dhe reagime të forta nga disa senatorë republikan. Rebelët që hynë në Kapitol përmes dritareve dhe dyerve, rrahën brutalisht oficerët e zbatimit të ligjit dhe ndërprenë çertifikimin e fitores së Presidentit Joe Biden përballë Trump.

"Ajo ishte një kryengritje e dhunshme me qëllim përpjekjen për të parandaluar transferimin paqësor të pushtetit pas një zgjedhjeje të çertifikuar legjitimisht nga një administratë në tjetrën," tha McConnell të martën.

Ai tha se ka ende besim te kryetarja e Komitetit kombëtar Republikan, Ronna McDaniel, por “çështja është nëse Komiteti duhet të veçojë apo jo anëtarët e partisë sonë që mund të kenë pikëpamje të ndryshme nga shumica. Kjo nuk është puna e Komitetit.”

Mosmarrëveshja është e fundit e luftës brenda partisë mbi çështjet që McConnell dhe të tjerët i shohin si të dobishme politikisht dhe do të preferonin të flisnin në një vit zgjedhor - për shembull inflacioni - kundrejt diskursit mbi kryengritjen dhe gënjeshtrat e zgjedhjeve të Trump.

Senatori republikan John Cornyn i Teksasit tha të hënën se Komiteti Kombëtar Republikan ka thënë se dëshiron që partia të bashkohet, "dhe se ky nuk ishte një veprim unifikues".

Senatori i Alabama-s, Richard Shelby, tha se ai beson se partia republikane duhet të jetë një "çadër e madhe".