Shumica e evropianëve në krah të Ukrainës dhe kundër Rusisë: sondazhi

Më shumë se 60% e njerëzve të anketuar besojnë se NATO duhet t’i dalë në mbrojtje Ukrainës nëse Rusia e pushton.

Shumica në të gjithë Evropën mendon se Rusia do ta pushtojë Ukrainën në vitin 2022 dhe besojnë se NATO dhe BE duhet të qëndrojnë në krah të Kievit, sipas një studimi, autorët e të cilit sugjerojnë se kriza mund të përfundojë në mënyrë dramatike duke ndryshuar mënyrën se si evropianët e shohin sigurinë e tyre.

"Të dhënat tregojnë një farë zgjimi gjeopolitik në Evropë," tha Mark Leonard, drejtor i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë (ECFR), i cili kreu sondazhin në shtatë shtete, që përbëjnë dy të tretat e popullsisë së BE-së.

“Shtetet e BE-së janë portretizuar si të përçara, të dobëta dhe jo të gjendura për Ukrainën, por qytetarët evropianë janë të bashkuar: ata bashkohen në mendimin se Vladimir Putin mund të kryejë veprime ushtarake dhe se Evropa, së bashku me partnerët e saj të NATO-s, duhet të shkojnë në ndihmë të Ukrainës.

Autorët e studimit thanë se sondazhi tregoi se “nuk kishte më, shumë të vërteta në klishenë që evropianët besojnë se lufta është e paimagjinueshme dhe e marrin paqen si të mirëqenë. Ata e perceptojnë botën e tyre si në një gjendje të paraluftës dhe jo të pasluftës.

Sondazhi, i kryer në fund të janarit, tregoi se shumica në gjashtë nga shtatë shtetet e anketuara besonin se Rusia do ta pushtonte Ukrainën gjatë vitit 2022, ku ata që janë më afër kufirit lindor të Evropës kanë bindjen më të madhe.