Skandali i radhës/ 300 mijë euro nga xhepat e qytetarëve shkojnë për formularët e Këshillimit Kombëtar

Shpërndarja e pyetësorëve dhe reklama për procesin e ashtuquajtur Këshillim Kombëtar i kryeministrit Edi Rama, do t'ju kushtojë shqiptarëve rreth 360 milionë lekë (afërsisht 300 mijë euro) .

Posta Shqiptare që bën shpërndarjen e pyetësorëve në shtëpitë e qytetarëve do të harxhojë 30 milionë lekë për shtypjen e pyetësorëve, për zarfe dhe prodhimin e materialeve raklamuese.

Për këtë qëllim, posta ka filluar procedurat e tenderimit.

 
Prokurimi i Postes Shqiptare

 

Nga ana tjetër, Agjencia e Bashkëqeverisjes në Kryeministri pritet të harxhojë 4 milionë lekë të tjera për shtypjen e materialeve promovuese për nxitjen e qytetarëve që të plotësojnë pyetësorin.

Agjencia ka shpallur procedurën e prokurimit për këtë qëllim.

Këto kosto nuk përfshijnë shpenzimet e deritanishme për shtypjen dhe shpërndarjen e mbi 100 mijë pyetësorëve, kryesisht në qytetin e Tiranës.

As kostoja e punonjësve të Postës Shqiptare dhe e punonjësve të tjerë të përfshirë në këtë proces nuk është përfshirë në shifrat e mësipërme.

Pak javë më parë, kryeministri Rama vendosi që të marrë mendimin e qytetarëve për disa çështje të rëndësishme të politikave publike. Mendimi merret me anë të një pyetësori me 12 çështje, që kanë të bëjnë me ekonominë, punën, familjen, drejtësinë, luftën kundër kriminalitetit, apo procesin e integrimit evropian të vendit.

Pyetësori mund të plotësohet online ose me shkrim: çdo familjeje i dërgohet një ose disa kopje të pyetësorit të shtypur.