Biden kërcënon: Nuk ka gazsjellës po qe se Rusia pushton Ukrainën

Uashington - Në një stuhi diplomacie midis dy kontinenteve, Presidenti Joe Biden u takua me udhëheqësin e ri të Gjermanisë të hënën dhe u zotua se gazsjellësi rëndësishëm "Nord Stream 2" nga Rusia në Gjermani do të bllokohet nëse Rusia pushton Ukrainën.  Vladimir Putin i Rusisë iu kundërpërgjigj se SHBA-të dhe aleatët e saj janë të vetmit që flasin për pushtim.

Putin dhe presidenti francez Emmanuel Macron u takuan për më shumë se pesë orë në Moskë në të njëjtën kohë që Biden dhe kancelari gjerman Olaf Scholz diskutuan në Shtëpinë e Bardhë në përpjekje për të zbutur krizën përpara se të shpërthejë konflikti i armatosur. Rusia ka grumbulluar mijëra trupa në kufirin me Ukrainën, duke e shtuar fuqinë ushtarake pothuajse çdo ditë.

Shtëpia e Bardhë ka shprehur alarm në rritje për perspektivat e luftës dhe Biden ka kërkuar të forcojë mbështetjen midis aleatëve evropianë për sanksionet e dëmshme ekonomike kundër Rusisë nëse ajo sulmon.

“Nëse Rusia pushton,  pra nëse tanket dhe trupat do të kalojnë përsëri kufirin e Ukrainës, atëherë nuk do të ketë më një Nord Stream 2”, tha Biden. "Ne do ta bllokojmë atë."

Kjo do ta dëmtonte Rusinë ekonomikisht, por gjithashtu do të shkaktonte probleme të furnizimit për Gjermaninë. Ndërtimi i gazsjellësit ka përfunduar, por ai ende nuk po funksionon.

"Ne jemi bashkërisht gati dhe e gjithë NATO është gati," tha Biden, duke iu referuar aleancës së fuqishme perëndimore, megjithëse Ukraina nuk është anëtare.

Ndërsa Biden përsëriti me siguri se gazsjellësi nuk do të avancojë, Scholz theksoi nevojën për të mbajtur njëfarë dykuptimësie në lidhje me sanksionet në mënyrë që të ndalet Rusia për të çtensionuar krizën.

“Është e nevojshme që Rusia të kuptojë se mund të ndodhë shumë më tepër nga sa kanë llogaritur me veten e tyre,” tha Scholz.

Grumbullimi i mbi 100,000 trupave ruse pranë Ukrainës ka nxitur shqetësimet në perëndim për një ofensivë të mundshme. Këshilltari për sigurinë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan, paralajmëroi të dielën se Rusia mund të pushtojë Ukrainën "çdo ditë", duke shkaktuar një konflikt që do të shoqërohej me një "kosto të madhe njerëzore".

Në të njëjtën kohë, Biden dhe aleatët e NATO-s e kanë bërë të qartë se nuk ka plane për dërgimin e trupave për të luftuar Rusinë në emër të Ukrainës.

Putin ka vënë në  dukje se SHBA dhe NATO i kanë injoruar kërkesat e Moskës që aleanca të garantojë se do të mbajë jashtë radhëve të saj Ukrainën dhe vendet e tjera ish-sovjetike dhe të largojë forcat e saj  nga Evropa Lindore.