FOTO - Shpëtuesit në Marok gërmojnë për të tretën ditë për të arritur tek 5-vjeçari i rënë në pus

Vogëlushi, i quajtur Rayan, u bllokua në pusin 32 metra të thellë të martën, duke nxitur përpjekje të furishme për ta çliruar atë.

Punonjësit e shpëtimit në veri të Marokut kanë nisur ditën e tretë të gërmimit për të arritur tek një djalë pesë-vjeçar që është bllokuar në një pus të thellë 32 metra.

Djali ka mbetur i ngecur në pusin, që ndodhet në fshatin Ighran në provincën Chefchaouen të Marokut, që nga mbrëmja e së martës. Ekipet e shpëtimit thanë të enjten se kishin arritur të çonin oksigjen dhe ujë tek ai dhe morën një përgjigje prej tij.

"Unë lutem e i lutem Zotit që ai të dalë nga ai pus i gjallë dhe i sigurt," tha nëna e tij, Ëassima Kharchich, për televizionin lokal 2M. "Të lutem Zot, lehtëso dhimbjen time dhe të tij, në atë vrimë me pluhur."

Khalid Agoram, babai i djalit, i tha një televizioni tjetër lokal se ai po e kërkonte të birin për orë të tëra të martën përpara se të zbulonte se ai kishte rënë në pus.

Punonjësit e shpëtimit përdorën një litar për të çuar një tub oksigjeni dhe ujë tek djali, por nuk hynin dot në vrimën ku ai ishte bllokuar. Ata gjithashtu dërguan një kamerë për ta monitoruar atë, sipas agjencisë zyrtare të lajmeve MAP të Marokut.

Ata përdorën pesë buldozerë për të hapur një vrimë paralele me pusin në një përpjekje për të arritur djalin, i identifikuar si Rayan, tha MAP. Zyrtarët lokalë thanë se ekipet e shpëtimit kanë arritur deri më tani 19 metra.

“Kam arritur të komunikoj me fëmijën dhe e pyeta nëse mund të më dëgjonte. Pati një përgjigje. Prita për një minutë dhe pashë që ai filloi të përdorte oksigjenin, "tha vullnetari i Gjysmëhënës së Kuqe, Imad Fahmy për 2M.

Stafi mjekësor është në vend për t’i dhënë ndihmë djalit, me një helikopter në gatishmëri për ta transportuar atë në spitalin më të afërt.

Zëdhënësi i qeverisë Mustapha Baytas tha të enjten se qeveria po monitoronte nga afër situatën, duke studiuar mënyra të ndryshme për të ndihmuar në shpëtimin e fëmijës.

Mijëra marokenë dolën në rrjetet sociale për të shprehur simpatinë e tyre me djalin dhe familjen e tij. Hashtag-u #SaveRayan ka qenë në trend për orë të tëra në Marok dhe postimet në Tëitter kanë sjellë vëmendjen globale në përpjekjet e shpëtimit./ar.sh/SYRI.NET

Lexo më shumë: Maroku po mban frymën: Vetëm pak metra për të shpëtuar Ryan nga pusi 32 m