Kriza e thellë/ Erdogan tani ka një problem gjigant me paratë

BILD

Problemi me paratë i presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan po bëhet gjithmonë e më keq: inflacioni në vendin e tij kërceu në mënyrë të pabesueshme në 48.7 përqind këtë janar.

Sa për krahasim: inflacioni në janar në Gjermani ishte 4.9 përqind.

Një inflacion gjigant! Vetëm në një krahasim mujor, çmimet në Turqi u rritën me 11.1 përqind, sipas agjencisë së statistikave Turkstat. Kjo do të thotë se vetëm nga dhjetori në janar, çmimet u rritën më shumë se dy herë, aq sa janë rritur në vendin tonë gjatë 12 muajve të fundit.

Arsyeja kryesore për këtë përshkallëzim shokues të çmimeve në Bosfor është lira e dobët. Ajo ka humbur 44 përqind të vlerës së saj gjatë vitit të kaluar, duke i bërë importet më të shtrenjta. Por Turqia është e varur thellësisht nga importet, veçanërisht për energji dhe materiale të para. Indeksi i çmimeve të prodhimit u rrit me 93.5 përqind.

Qytetarët po rënkojnë nën kaosin ekonomik që është nxitur nga Erdogan për arsye thjesht ideologjike. Në vend që të reagonte ndaj inflacionit me rritjen e normave të interesit, ai i hodhi vazhdimisht benzinë zjarrit dhe i uli më tej normat e interesit. Ai shkarkoi disa guvernatorë të banës qendrore dhe ministra të financave, që e këshilluan kundër tij.

Arsyetimi i erdo-çmendur për normat e tij të interesit bie ndesh me të gjitha arsyet ekonomike: normat e larta të interesit janë joislamike dhe nuk do të ndihmonin në ngadalësimin e inflacionit.

Pak ditë më parë edhe kreu i autoritetit të statistikave u detyrua të linte postin- njeriu që llogarit inflacionin dhe përhap lajmet e këqija mes njerëzve.

Sa do shtrenjtohet jeta për qytetarët

Ushqimet dhe pijet joalkoolike janë shtrenjtuar me 55.6 përqind në krahasim me të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Sipas vlerësimeve të bankës qendrore turke, vetëm çmimet e ushqimeve ka mundësi të rriten edhe me 24.2 përqind deri në fund të vitit.

Kjo prek edhe hotelet, kafenetë dhe restorantet: këtu rritja e çmimit është 50.4 përqind.

Një shembull: nëse një drekë në restorant në janar 2021 kushtonte 50 euro, tani do kushtojë 75.20 euro.

Në një intervistë me gazetën ekonomike japoneze, Nikkei, ministri i Financave i Turqisë, Nureddin Nebati tha se rritja e çmimeve të arrijë kulmin në prill. Sipas tij, norma e inflacionit nuk duhet të rritet mbi 50 përqind.

Në tregun valutor, lira turke u vu nën presion pas publikimit të të dhënave për inflacionin. Megjithatë, humjet në këmbimin me dollarin amerikan dhe euron ishin të kufizuara dhe arritën në më pak se 1 përqind secila.