Një tjetër vend europian po shfuqizon të gjitha masat: Më e keqja kaloi

Suedia do të heqë kufizimet e vendosura gjatë pandemisë së koronavirusit javën e ardhshme, pavarësisht numrit rekord të personave të infektuar, pasi mendon se vaksinimi me dozë të tretë dhe një përqindje e lartë e njerëzve që i kanë mbijetuar koronavirusit do të mbajnë shtrimin në spital në një nivel optimal.

Kufizimet aktuale, të cilat përfshijnë orë të kufizuara të bareve dhe restoranteve dhe një kufizim për grumbullimin e 500 personave në ambiente të mbyllura, janë në fuqi deri më 9 shkurt.

 

"Është koha për të rihapur Suedinë," tha kryeministrja Magdalena Anderson në një konferencë shtypi.

“Shkalla e infeksionit do të mbetet e lartë për një kohë të gjatë, por ne mendojmë se pasojat më të këqija të infeksionit janë prapa nesh”, tha Anderson.

Suedia vendosi vazhdimisht rekorde të reja ditore të të infektuarve në janar, të cilat rënduan sistemin e kujdesit shëndetësor, ndonëse më pak se në valët e mëparshme.

Më herët, kur filloi pandemia, Suedia zgjodhi një qasje të veçantë, më pak strikte se në vendet e tjera dhe më së shumti u mbështet në vetëdisiplinën e njerëzve në respektimin e distancës fizike dhe masave higjienike, por gradualisht futi kufizime më të rrepta.

Shkalla e lartë e vdekshmërisë nga kurora ishte dukshëm më e lartë në Suedi sesa në vendet e tjera skandinave, por gjithashtu dukshëm më e ulët se vendet e tjera në Evropë që zgjodhën mbylljen e rreptë.

Rekomandimet për vaksinimin dhe izolimin e të infektuarve në shtëpi do të mbeten në fuqi dhe sigurisht do të jenë shumë më të rrepta për të pavaksinuarit, tha ministrja e Shëndetësisë Lena Halengren në një konferencë për shtyp.