Biden dhe Macron bien dakord për veprime të koordinuara kundër Rusisë
Presidenti amerikan Joe Biden dhe homologu i tij francez Emanuel Macron ranë dakord të mërkurën se do t'i përgjigjen në mënyrë të koordinuar pranisë ushtarake ruse në kufirin ukrainas, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Në një bisedë telefonike që u zhvillua pasi Macron nuk përjashtoi mundësinë e vizitës në Rusi për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën, të dy udhëheqësit "konfirmuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës", tha administrata amerikane.
Ata diskutuan gjithashtu "koordinimin që është duke u zhvilluar aktualisht në nivel diplomatik dhe në nivelin e përgatitjeve për futjen e sanksioneve të shpejta dhe të ashpra ekonomike ndaj Rusisë në rast të okupimit të mëtejshëm të Ukrainës".
“Presidenti Biden dhe Presidenti Macron kanë rënë dakord që ekipet e tyre do të jenë në kontakt të rregullt, në konsultim me aleatët e NATO-s dhe partnerët e BE-së, për qasjen tonë të koordinuar dhe globale për zgjidhjen e këtyre problemeve”, thuhet në deklaratë.
Që nga fundi i vitit 2021, Perëndimi ka akuzuar Moskën për grumbullimin e dhjetëra mijëra trupave pranë kufirit ukrainas për shkak të një pushtimi të mundshëm.
Rusia përgjigjet se nuk ka ndërmend të sulmojë Ukrainën, por është e shqetësuar vetëm për sigurinë e saj.