Akuza e fortë e Kryemadhit: Në 25 prill, Basha shiti mandatet e LSI tek PS, ndoshta bojkoton 6 marsin...

Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi thotë se Lulzim Basha mund të mos hyjë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. 

Kryemadhi thotë se nuk është çudi bojkoti i Bashës, pasi një gjë të tillë e ka bërë gjithmonë. 

Ajo bën edhe një deklaratë të fortë duke akuzuar Bashën se në 25 prill shiti mandatet e LSI te PS-ja. 

"Patjetër një aleat armik, mjafton të shikoni proceverbalet e grupeve të numërimit të Partisë Demokratike në 25 prill. I hiqet mandate Elona Gurit i jepet Edi Ramës. I hiqet mandate Ardit Çelës i jepet Blendi Klosit, i hiqet mandati Endrit Braimllarit i jepet Niko Peleshit. Mjafton kjo për të kuptuar sesi mandatet i hiqen LSI-së dhe i shiten Partisë Socialiste. LSI nuk ka ndërmend të luftojë për të shkuarën por të mësojë nga e shkuara".  

"Të nxjerrë kandidatët një hëre se nuk ka nxjerrë kandidatët. Afatet e fundit këto ditë janë. 6 shkurti është afati i fundit. Të mendosh që ka 10 vjet për primare dhe ende nuk ka hedhur emrat. Apo po bën sondazhe një listë apo dy lista. Është traditë e përhershme, është traditë që i mban gjërat në momentin e fundit. Unë shpresoj që të marrë pjesë në zgjedhjet e 6 marsit po mos u çudisni kur të thotë që nuk bëhem pjesë e ‘Trekëndëshit të Bermudës’ dhe nuk marr pjesë në zgjedhjet e 6 marsit, sepse kam përshtypjen që rezultatet do të jenë komplet ndryshe"

Mendoni që nuk do të hyjë në garë?
Po këtë punë ka bërë gjithmonë. Nuk na futi në zgjedhjet e 30 qershorit. Tha nuk do t'i lëshojmë zyrat, i lëshoj zyrat me celësat me të gjitha me të tëra. Nuk do bëjmë këtë, nuk do bëjmë atë. Mbi trupin tim do kalojë ky, mbi trupin tim do kalojë ai.