Julian Assange: Deputetët kërkojnë që themeluesit të WikiLeaks t'i jepet azil politik në Francë

Katër deputetë francezë po bëjnë presion që Julian Assange t'i ofrohet azil në Francë në mes të luftës së vazhdueshme të themeluesit të WikiLeaks kundër ekstradimit nga Britania e Madhe për në SHBA.

Jennifer De Temmerman, Jean Lassalle, Cedric Villani dhe Francois Ruffin do të flasin në një konferencë shtypi në Paris më 1 shkurt, ku do të shpjegojnë pse Assange – aktualisht në burg në Mbretërinë e Bashkuar – duhet t’I jepet strehim në Francë.

Ekipi mbrojtës i Assange njoftoi në shkurt 2020 se do të kërkonte azil për të në Francë, përpara seancës dëgjimore në Mbretërinë e Bashkuar nëse 50-vjeçari duhet të ekstradohej në SHBA për gjykim.

Dy vjet më vonë, Assange vazhdon të luftojë kundër ekstradimiy në SHBA, ku do të përballej me gjyqin për publikimin e një grumbulli dokumentesh të klasifikuara ushtarake të më shumë se një dekade më parë.

Në dhjetor 2021, Gjykata e Lartë e Britanisë rrëzoi një vendim të një gjykate më të ulët se Assange nuk mund të ekstradohej për shkak të shqetësimeve për shëndetin e tij mendor.

Në janar, Assange fitoi të drejtën për të apeluar këtë vendim në Gjykatën e Lartë të Mbretërisë së Bashkuar, duke e vonuar edhe më ekstradimin e tij të mundshëm.

WikiLeaks ishte i vendosur më parë në Francë dhe fëmijët e Assange jetojnë në këtë vend, por avokatët e tij pranuan në vitin 2020 se fakti që ai nuk është në tokën franceze do ta ndërlikonte procesin.