COVID i merr jetën mjekut të Traumës, postimet prekëse në rrjet

Ditën e sotme ka ndërruar jetë si pasojë e Covid-19, mjeku anestezist-reanimator Viktor Kotani.

Ministria e Shëndetësisë dhe miqtë, kolegët e të afërmit e tij, kanë reaguar në lidhje me vdekjen e anestezistit duke i shprehur ngushëllimet familjarëve të tij.

“Dr. Viktori ka shërbyer për shumë vite në Spitalin e Traumës, si profesionist i zoti, gjithnjë i kujdesshëm me pacientët dhe miqësor me të gjithë stafin në shërbimin delikat të anestezi-reanimacionit.

U prehsh në paqe” mbyllet postimi i ministrisë.

Ndërsa kushëriri i tij, Miron Kotani, ndau një foto të anestezistit në Facebook, teksa shkroi:

"Me hidhërim të thellë mora lajmin për largimin nga kjo jetë të doktor Viktor Kotanit- ,mikut, vëllait,kushëririt tonë të shtrenjtë- si pasojë e Covid 19.

Çdo humbje e parakohshme është sa trishtuese aq dhe e dhimbshme. Por, njerëzit e veçantë e të rrallë mbeten të pashlyeshëm në memorie gjatë gjithë jetës.

 Sa jetë të shpëtuara... Njerëz që kanë luftuar me vdekjen... Mjeku anestezist i kudogjendur për çdo hall e problem ti ishe gjithmonë i pari.

Krenari per familjen Kotani.

U prehsh në paqe!

Ishe për ne miku, Doktori me virtytet më të rralla njerëzore e shpirt human.

Nuk do të të harrojmë kurrë, mjeku - artist

Viktor Kotani !

Përjete mes nesh !”

Ndërkohë, mjeku specialist i traumës Apostol Vaso, ka reaguar gjithashtu me anë të një statusi në Facebook, ku shprehet mjaft i trishtuar për humbjen e kolegut dhe mikut të tij, teksa e përshkruan atë si një etalon i profesionalizmit

"Një ikonë e korrektesës profesionale.

Një etalon i profesionalizmit dhe gadishmërisë mjekësore.

Ti do të ngelesh shembulli im i anestezitit të përkushtuar, serioz, i vëmendshëm, detajist për çdo imtësi, në reanimacion dhe anestezi. Njeriu që pyesje dhe kurrë nuk tregoje vetëkënaqësi për eksperiencën tënde. Asgjë nuk fshehe, të gjitha i ndave me ne, me nje thjeshtësi të mahnitshme. Ai që nuk ndalonte së diskutuari, për çdo të semurë, ne çdo rast dhe në çdo moment. Njeriu nga i cili të gjithë çuditeshim me përkushtimin në punë dhe durimin e pa krahasueshëm.

Nëse do të kërkoje emrin e  sigurisë maksimale në anestezi, ne kolegët e tij  do të quanim Viktor Kotani.

Na hidherove  vellai i madh, shok i palodhur, kolegu yne dashur, qe modestia ishe medheshtia tende.

Lamtumire. Na prit“, shkruan ai ndër të tjera.

Një postim për mjekun ka shkruar edhe deputeti demokrat Tritan Shehu.

"Me një hidhërim të pa masë mësova lajmin e ndarjes nga kjo jete të kolegut tim, mikut tim, anestezist-reanimatorit të aftë, të pa përtuar, të paharruarit Dr.Viktor Kotani. Me Viktorin kam ndarë shumë e shumë vite pune, bashkëpunim, përpjekje të përbashkëta në Sallën e operacionit e ambientet e Terapisë Intensive, të Spitalit Ushtarak, Qendrës së Traumës, etj.

Gjithmonë më kujtohet ashtu si ai ishte, i qetë, i saktë në veprimet e tij, i qeshur e miqësor, i gatshëm për të dëgjuar e pranuar mendimet e sugjerimet e ndryshme, me gjithë eksperiencën shumë të pasur në profesion.

Me vdekjen e tij ne humbëm një koleg e mik të vyer, familja njeriun më të dashur, Shërbimi e Shoqata e jonë nj specialist shumë të kualifikuar.

Ngushëllime të gjithëve. Do ta kujtojmë gjithmonë”, shkruan Tritan Shehu.