Klubet e Superligës, thirrje për distancim të politikës nga futbolli

Pak ditë më parë bota e futbollit shqiptar u trondit nga lajmi i shpërthimit të një tritoli në shtëpinë e Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Kjo ngjarje e rëndë ka marrë jehonë ndërkombëtare, teksa së fundmi ka bërë bashkë klubet e Abissnet Superiore, të cilat janë solidarizuar me numrin 1 të futbollit shqiptar.

Teuta, Kukësi, Laçi, Kastrioti, Skënderbeu dhe Egnatia kanë reaguar në rrjetet e tyre sociale, duke i shprehur mbështetjen e tyre Presidentit Duka dhe duke dënuar ashpërsisht këtë ngjarje, ndërsa janë solidarizuar edhe me ndërhyrjen e politikës në futboll, duke kërkuar distancimin nga ky sport.

Më poshtë gjeni edhe deklaratat e klubeve të kampionatit elitë në Shqipëri, të publikuara në kanalet e tyre sociale.

KF Teuta

“KF TEUTA dhe presidenti Hasanbelliu denojne me force aktin e shperthimit me tritol ne banesen e Presidentit Duka.

KF Teuta dhe veçanërisht presidenti Edmond Hasanbelli ndihen tejet te tronditur nga shpërthimi me eksploziv në shtëpinë e presidentit të FSHF, Armand Duka.

Vete presidenti ben apel qe incidente te tilla jane ekstremisht te denueshme dhe kerkojne zbardhjen e menjehereshme nga organet ligjzbatuese.  “Solidarizohem në këtë moment të vështirë me Presidentin Duka dhe me familjen e tij. Uroj dhe shpresoj shume që një ngjarje kaq e rëndë të mos përsëritet kurrë dhe autorët të vihen para drejtësisë. Gjithashtu edhe politika duhet te distancohet nga fenomene te tilla qe baltosin imazhin e Shqiperise.

Shpresoj shumë që kjo ngjarje të mos ketë lidhje kurrsesi me ndërhyrjet e politikës në futboll, te cilat jane thellesisht evidente ditet e fundit. Politika duhet të qëndrojë larg çështjeve që i takojnë komunitetit të futbollit, i cili duhet  të vendosë në mënyrë të pavarur per zhvillimin e futbollit ne vend”.

KS Kastrioti

“KS Kastrioti solidarizohet me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e së hënës, ku një shpërthim me tritol pranë shtëpisë së Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka tronditi jo vetëm atë dhe familjen e tij, por mbarë komunitetin e futbollit shqiptar.

Klubi ynë dënon me ashpërsi këtë akt të paprecedentë dhe fton organet kompetente të zbardhin këtë ngjarje të shëmtuar.

Shohim ditët e fundit një ndërhyrje flagrante të politikës në futboll.

E ftojmë të qëndrojë larg sportit tonë dhe të distancohet nga çdo ndërhyrje në procesin zgjedhor, ku komuniteti i futbollit do të vendosë vetë për drejtuesin e FSHF-së për 4 vitet e ardhshme. Politika nuk ka dhe nuk do të ketë kurrë vend në futboll!”

FK Kukësi

Futboll Klub Kukësi i gjendet pranë Presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka dhe familjes së tij, pas aktit të rëndë të së hënës, ku një lëndë eksplozive shpërtheu në shtëpinë e tij në Durrës.

Klubi ynë shpreh solidaritetin tonë të plotë me kreun e FSHF-së në këto çaste të vështira dhe urojmë që autorët të vihen para drejtësisë sa më parë!

KF Skënderbeu

“Klubi i Skënderbeut dëshiron të shprehë të gjithë mbështetjen e tij dhe të solidarizohet me Presidentin e FSHF-së, Armand Duka.

Sulmi me eksploziv në shtëpinë e tij të hënën ishte një ngjarje shumë e rëndë që na ka tronditur pa masë dhe që vjen në një moment delikat, kur komuniteti i futbollit është në mesin e një procesi zgjedhor për organet drejtuese.

I bëjmë thirrje organeve të drejtësisë që të zbulojnë dhe të dënojnë sa më parë autorët dhe frymëzuesit e këtij sulmi të rëndë. Sulmi ndaj Presidenti Duka është njëkohësisht dhe sulm ndaj futbollit.

Për këtë arsye ne jemi të indinjuar për këtë akt skandaloz dhe i bëjmë thirrje politikës që të qëndrojë larg futbollit dhe të mos ndërhyjë në proceset zgjedhore.

Presionet dhe shantazhet ndaj aktorëve të futbollit duhet të ndalen një orë e më parë”.

KF Laçi

“Klubi i Laçit solidarizohet plotësisht me Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, pas shpërthimit me eksploziv që ndodhi të hënën në shtëpinë e tij. Covid-19 prej dy vitesh na ka penalizuar të gjithëve dhe tani jemi në një situatë tjetër jo të hijshme, me tentativa të ndërhyrjes së politikës në botën e futbollit.

Kjo që po ndodh është e papranueshme për futbollin në tërësi. Urojmë që futbolli të rikthehet sa më shpejt në normalitet dhe të vazhdojë të shikojë përpara për organizimin e një eventi madhor e historik për Shqipërinë, siç është finalja e UEFA Conference League në Tiranë më 25 maj. I shprehim mbështetjen tonë të plotë Presidentit Duka në këtë moment delikat”.

KF Egnatia

Klubi i Egnatias shpreh indinjatën e thellë për sulmin në shtëpinë e Presidentit të FSHF, Armand Duka. Shprehim shqetësimin e thellë për këtë sulm skandaloz dhe bëjmë apel që autorët të ndëshkohen nga drejtësia. Jemi prane familjes se presidentit ne kete moment te veshtire.