VIDEO SYRI TV/ Primaret, Berisha: Merr fund praktika e zarfeve me euro. Basha, plan për kulla në selinë e PD

Lideri historik i PD Sali Berisha deklaroi se sot me procesin e primareve iu dha fund praktikës së zgjedhjes së kandidatëve nëpërmjet zarfeve apo kutive me euro. Ish-kryeministri Berisha theksoi se me këtë process, në të ardhmen do të zgjidhen të gjithë përfaqësuesit e PD, duke nisur nga këshilltarët e deri tek kryeministri. Berisha tha se Lulzim Basha eshte peng i kryeministrit Rama përmes metodava korruptive dhe solli shembullin e aferës së Portit të Durresit si dhe të projektit për ndërtimin e kullave aty ku sot ndodhet selia e Partisë Demokratike. 

SYRI TV

Ditën që demokratet zgjodhën përmes primareve kandidatët e tyre për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha mbajti 'Foltoren' me demokratët e Vaut të Dejës. Ish-kryeministri e cilësoi këtë ditë me një rëndësi të veçantë për Partinë Demokratike dhe vendin.

Berisha tha se mijëra demokratë po ushtrojnë këtë praktikë që u premtua 4 muaj më parë dhe i cilësoi primaret si metodën më demokratike për zgjedhjen e përfaqësuesve të tyre. Ish-kryeministri Berisha theksoi se me primaret merr fund praktika e emërimeve nga lart apo e zarfeve të mbushura me euro.

"Primaret janë metoda më demokratike e zgjedhjes së përfaqësuesve tuaj. Ju do zgjidhni jo vetëm kryetarët e bashkive por dhe këshilltarët e deputetët tuaj dhe në një të ardhme të afërt edhe kryeministrin tuaj. Merr fund praktika korruptive dhe autoritare. Merr fund praktika e emërimeve nga lart, e zarfeve dhe pakove me euro për të fituar emërimin", u shpreh Berisha. 

Ish-kryeministri tha se sistemi i primareve do të perfeksionohet edhe më tej dhe në të ardhmen, përveç anëtarësisë do të votojnë edhe qytetarët.

"Më vonë në këtë process nuk do të marrin pjesë vetëm anëtarësia, por dhe qytetarët që mbështesin PD-në. Kalojmë nga përfaqësuesit e kryetarit te ata të qytetarit. Transparenca me ju kusht themelor për të marrë një mandat tjetër".

Ish-kryeministri tha se Lulzim Basha është peng i kryeministrit Rama përmes metodave korruptive. Ai solli shembullin e aferës së Portit të Durresit si dhe të projektit për ndërtimin e kullave aty ku sot ndodhet selia e Partisë Demokratike.

"Portin e Durrësit e ka marrë Rama-Brava dhe menaxheri i EMAAR-it në Shqipëri është menaxheri i kompanive të Bravës. E pate ç'bëri me selinë? Ju sul demokratëve pasi selia është parashikuar të bëhet vend ndërtimi i kullave nga 4 hajdutët. Gjeni sa ka marrë për vete Lulzim Brava?"

Berisha kritikoi edhe qëndrimet e ambasadës amerikane në Tiranë dhe theksoi se ata mbështesin Edi Ramën duke qenë se kryeministri është mik i George Soros.

"Le të pyesin pak këtë zonjë dhe paraardhësin e saj. Si ka mundësi që vendi u mbush me drogë dhe nuk thashë asgjë kundër qeverisë? Kur italianët sollën dosjet për ministrat nga Italia dhe i krahasuat me proceset e komunizmit. Mbështetet Edi Rama se është mik me George Soros". 

Berisha u bëri thirrje demokratëve që të mos mashtrohen nga kallp opozita e Lulzim Bashës dhe shprehu bindjen në fitoren e kandidatëve të opozitës në zgjedhjet e 6 marsit.

Në 'Foltoren' me demokratët e Vaut të Dejës merrnin pjesë drejtues të strukturave të Partisë Demokratike, ish-deputetë dhe zyrtarë të tjerë.