Dasho Aliko akuzon Roland Bejkon: E solli Basha që të zihet me mua, theu derën e PD

Kryetari i degës së PD në Gjirokastër, Dasho Aliko ka akuzuar Lulzim Bashën për incidentin e sotëm te selia. 

Roland Bejko, i deleguari i deputetit Basha, me një grup mbështetësish shkallmuan derën e selisë së PD si dhe kanë dëmtuar materialet dhe logjistikën elektronike përfshirë edhe databazën e të dhënave në sistemin informatik të të dhënave. 

Në një deklaratë urgjente për mediat, Aliko akuzoi Bashën se dërgoi qëllimisht Roland Bejkon në Gjirokastër që të konfliktohet me të.

"U njoftuam nga disa qytetarë që te zyra e PD dega Gjirokastër kishin ardhur një grup njerëzish në mënyrë barbare dhe i binin derës me shkelma. Janë pjesa jonë edhe ata, e ne iu bëjmë thirrje që të rikthehen te anëtarësia. U bëj thirrje që të heqin dorë nga vandalizmat. Ata duhet patjetër të respektojnë anëtarësinë e tyre se i ka votuar 100 herë zotin e Bejko si kryetar dege, sekretar dege, si kryetar për Forumin Rinor, si kandidat për deputet, pavarësisht se ne e dimë se sa është reputacioni i të gjithë ne dhe sa vota mbledhim ne në Qarkun e Gjirokastër. Ju e patë se si në mënyrë barbare kishin thyer çelësat e dyerve, në një kohë kur ne ua kemi ofruar besimin tonë që ata të bëhen pjesë e PD. Ne sot i kemi thirrur këta zotërinj që të bëhen pjesë e zgjedhjeve në PD.

Ku sot si asnjëherë, përfshirë edhe zotin Bejko i cili ka luftuar për primare, që ta zgjedhë anëtarësia dhe jo atë që do kryetari i PDSH. Dhe pastaj lindin e shumë të tjera si ka shitur deputetin, jo ka marrë kaq lekë kunati, e jo aq kryetari. Përshëndes të 6 njësitë vendore që sot bëjnë votimet një anëtar një votë, është ajo që kemi ëndërruar gjatë gjithë jetës që secili të votohet nga anëtarësia, atje matet sa ke dhënë për anëtarësinë dhe sa ke dhënë për anëtarësinë. Bëj thirrje ata që kthehen te anëtarësia, të kthehen te shumica.

Nëse zoti Basha e quan veten të fuqishëm te anëtarësia e PD, të futet në zgjedhje dhe aty të ndahet shapi nga sheqeri. Del e thotë llum. Kush është llum, unë që i kam shërbyer PD-së nga A te ZH-ja, është llum nënkryetari i PD, është llum Sali Berisha që e mori nga askushi dhe e bëri dikushi? Roland Bejkon e ka dërguar për t'u zënë me mua dhe Tritan Shehun, për t'u zënë me anëtarët e PD. Turp të kenë të gjithë ata që kanë vënë dorën mbi selinë e PD", është shprehur Aliko.