FOTO/ Shembet ura, pak orë para vizitës së Biden në Pittsburgh

Një urë u shemb në Pittsburgh të premten në mëngjes, disa orë përpara se presidenti Joe Biden të udhëtonte në qytet për të promovuar axhendën e tij legjislative, duke përfshirë ligjin historik të infrastrukturës, që ai nënshkroi vitin e kaluar.

Siguria Publike e Pittsburgh konfirmoi kolapsin në Twitter para orës 7 të mëngjesit, duke u bërë thirrje njerëzve të shmangin zonën përreth Forbes dhe Braddock Avenues pranë Frick Park. Tre persona janë shtruar në spital me lëndime jo të rrezikshme për jetën, ndërsa autoritetet janë vendosur për të “siguruar që të mos ketë viktima nën urën e shembur”, shkroi faqja zyrtare e qytetit në Twitter, në një përditësim më vonë të premten në mëngjes.

Vendi i shembjes duket të jetë vetëm disa milje nga Universiteti Carnegie Mellon në Mill 19, ku Biden ishte caktuar të jepte fjalim rreth orës 14:00.

Presidenti do të fokusohet në progresin e administratës së tij në forcimin e zinxhirëve të furnizimit të SHBA dhe rritjen e niveleve të prodhimit.

Një mjet kyç në këto përpjekje është ligji bipartiak i infrastrukturës prej 1 trilion dollarësh, një arritje kryesore legjislative e vitit të parë të Bidenit në detyrë.

Paketa, e cila kaloi pas vitesh përpjekjesh të dështuara nga ish-presidenti Donald Trump dhe presidentë të tjerë për të krijuar një marrëveshje të ngjashme, ndan 550 miliardë dollarë para  për projektet e transportit dhe shërbimeve komunale.

Ishte e paqartë nëse Biden planifikoi të ndryshonte vërejtjet e tij të përgatitura në ditën e shembjes së urës. “Presidentit i është thënë për shembjen e urës në Pittsburgh”, u tha Shtëpia e Bardhë gazetarëve. “Ekipi ynë është në kontakt me zyrtarët shtetërorë dhe lokalë në terren ndërsa vazhdojnë të mbledhin informacione për shkakun e shembjes.

“Presidenti u është mirënjohës reaguesve të parë që nxituan për të ndihmuar shoferët që ishin në urë në atë moment”, tha Shtëpia e Bardhë. “Presidenti do të vazhdojë me udhëtimin e planifikuar për sot dhe do të qëndrojë në kontakt me zyrtarët në terren për ndihmën shtesë që mund të ofrojmë.”