Mbi 70 të vdekur nga stuhia ‘Ana’ në juglindje të Afrikës

Pjesa juglindore e Afrikës është përfshirë nga vërshimet. Mbi 70 të vdekur janë regjistruar në atë rajon pas stuhisë tropikale, “Ana”.

Në Madagaskar janë shënuar të paktën 48 viktima dhe 130.000 njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për t’u vendosur në strehimore të improvizuara.

Në Malavi, të paktën 11 persona raportohet të kenë vdekur. Ky shtet është përballur edhe me ndërprerje të energjisë në mbarë vendin dhe disa rajone janë shpallur zona fatkeqësie, shkruan BBC, përcjell Gazeta Express.

Viktima janë shënuar edhe në një shtet tjetër afrikan, në Mozambik, ku raportohet për 18 të vdekur. Megjithatë, zyrtarët thonë se shifra e vërtetë ende nuk dihet dhe se rreth 20.000 njerëz janë prekur nga vërshimet.

Në Mozambik, stuhia “Ana” shkatërroi 10.000 shtëpi dhe dhjetëra shkolla e spitale si dhe rrjetin elektrik. Reshjet e dendura të shiut kanë vazhduar në disa rajone edhe pas kalimit të stuhisë, duke kontribuuar në vërshime.

Kryeministri i këtij shteti, Carlos Agostinho do Rosario, tha se vendi i tij nuk është duke u përgjëruar për ndihmë, por se sfida është më e madhe se aftësia e ndonjë vendi për ta trajtuar atë. Ai i përmendi edhe rastet e shpeshtuara të motit të ashpër.

“Ne jemi vend që nuk kontribuon shumë për ndryshimet klimatike dhe përsëri jemi njëri nga vendet që vuajmë më së shumti nga ndikimi i tyre”, tha ai.