Fiorentina triumfon në ‘Diego Armando Maradona’, mposht Napolin pas kohës shtesë

Fiorentina është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Italisë, pasi mposhti me rezultatin 5-2 skuadrën e Napolit dhe në fazën tjetër do të përballet me Atalantën e Gian Piero Gasperinit.

Dueli i sotëm në “Diego Armando Maradona” ishte mjaft i luftuar dhe solli dy gola në 45 minutat e para të ndeshjes. Dusan Vlahovic ishte ai që shënoi i pari në portën e Napolit.

Fiorentina nuk festoi gjatë, pasi Dries Mertens vendosi baraspeshën. Në shtesën e pjesës së parë portieri Dragoëski u ndëshkua me karton të kuq dhe ekipi “Vjollcë” mbeti me një lojtar më pak.

Pavarësisht kësaj, Fiorentina në pjesën e dytë ia doli të befasonte Napolin me një gol të realizuar mjeshtërisht nga Biraghi. 6 minuta nga fundi Lozano u ndëshkua me karton të kuq dhe forcat në fushë u barazpeshuan.

Në minutën e 94-t u regjistrua polemika më e madhe, pasi arbitri i ndeshjes ndaloi lojën dhe ndëshkoi me karton të kuq Fabian Ruiz. Ai nuk lejoi avantazhin, kur për Fiorentinën ishte një rast i pastër goli.

Një minutë më pas Napoli ia doli të barazonte me Petagna dhe me rezultatin 2-2 ndeshja shkoi në shtesë. Me një lojtar më shumë Fiorentina dominoi dhe shënoi tre gola në portën e Napolit, me Venuti, Piatek, që debutoi me gol, dhe Maleh.