VIDEO/ 'Do t'ju marrim zvarrë në shesh' - Kur Basha paralajmëronte të mos prekeshin protestuesit

Pesë vjet më parë, në atë që u quajt Çadra e Lirisë, kreu i PD-së, Lulzim Basha, mbajti një fjalim, që nëse e sheh në dritën e zhvillimeve të ditëve të fundit, i ngjan një autogoli.

Në takimim me biznesin në çadrën që qëndroi e hapur për më shumë se dy muaj para Kryeministrisë, në shkurt të 2017-s, Basha u bëri thirrje atyre që e ndiqnin, të ngrihen kundër kryeministrit Rama.

Basha kërcënoi se kushdo godet protestuesit, do të merrej zvarrë në shesh.

"Ta dijë mirë çdokush që godet qytetarët dhe protestën se do të vijë ora t’i marrim zvarrë në këtë shesh. Shpojuani gomat e makinave, thyejuani dritaret, nxirrini zvarrë nga zyrat ata që ju shkelin të drejtat tuaja. Ngrihuni, protestoni, reagoni".

Kjo deklaratë tingëllon qesharake sidomos pas protestës së 8 janarit, kur ndaj protestuesve që mbështetën Berishën u ushtrua dhunë dhe u hodh gaz lotsjellës nga brenda selisë blu, ku ndodheshin Basha dhe një grup deputetësh.

Vetëm disa orë pas kësaj deklarate, Policia e Shtetit do ta padiste Bashën në prokurori për nxitje të dhunës.

Por gjithçka do të merrte fund pak muaj më vonë, më 17 maj 2017, me marrëveshjen Rama-Basha./ MCN