Mori arkë me peshk, telefon dhe 1 mijë € për një vend pune, SPAK çon për gjykim Rovena Vodën

Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) ka dërguar sot në Gjykatën e Posaçme, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve Rovena Voda, Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

Prokuroria bën me dije se në përfundim të hetimeve paraprake për këtë procedim penal janë mbledhur prova me të cilat provohet se, e pandehura Rovena Voda, ka pranuar dhe ka marrë përfitime monetare dhe përfitime materiale të padrejta nga të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu.

“Përfitimet monetare dhe materiale të padrejta në këtë rast janë marrë dhe janë pranuar me qëllim që e pandehura Rovena Voda të ushtronte ndikim të paligjshëm tek persona të tjerë që ushtrojnë funksione publike, për të favorizuar në mënyrë të padrejtë të pandehurën Florida Beu, në mënyrë që kjo e fundit të emërohej punonjëse në shërbimin civil në kategorinë ekzekutive” – shkruan prokuroria.

E pandehura Rovena Voda është akuzuar se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.

Ndërsa, të pandehurat Majlinda Hasani dhe Florida Beu janë akuzuar se kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.

Çfarë zbuluan hetimet për Rovena Vodën
Në 13 shkurt 2020
Avokatja, Florida Beu dhe Rovena Voda zhvillojnë një takim. Beu i ka kërkuar që ta favorizojë për t'u punësuar. Voda i ka thënë që se bën dot shefe, por mund ta bëj specialiste diku.

Rovena Voda ka telefonuar dikë në Departamentin e Administratës Publike, duke i thënë se do e rregulloj specialiste. Majlinda ka folur me Floridën dhe sipas prokurorisë i kanë dhënë shumën prej 1 mijë eurosh të futur në një zarf.

Pas këtij momenti, Florida i thotë Majlindës më ngeli mendja mos duheshin më shumë para. Se të paktën të na fuste në një vend të mirë. Më pas, Majlinda dëgjohet duke thënë se leku e hedh ujin përpjetë, e se tani Rovena na përgjigjet menjëherë.

Në 28 shkurt 2020, tre gratë janë takuar në Ministri dhe Florida Beu, ka aplikuar në 11 vende punë të hapura në Ministri. Florida ka telefonuar nënën e saj dhe i ka thënë me lekët që do me sjell Gerti do i jap diçka asaj Rovenës që ta ndjej si detyrim.

Takimi tretë është filmuar dhe është zhvilluar në Portin e Durrësit, ku ka marrë si dhuratë edhe një arkë peshk.

Nga ana tjetër dyshohet sipas SPAK që Rovena ka marrë dhe një aparat telefon. Sipas verifikimeve, Florida Beu, nuk u shpall fituese në asnjë nga vendet ku aplikoi.