JO e fortë referendumit të Serbisë në territorin e Kosovës

Qytetarët e Serbisë, më 16 janar të vitit 2022, do të deklarohen me “po” apo “jo” për një pyetje: “A jeni për konfirmimin e aktit për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Serbisë?”.

Kjo do të jetë pyetja në referendumin që do të vendosë nëse Serbia do të ndryshojë Kushtetutën, pra aktin më të lartë juridik në vend.

Por kjo temë ka nxitur debat edhe në Kosovë, kjo për shkak se pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të kenë mundësinë që përmes postës ose përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, të votojnë në referendumin e organizuar nga Serbia për ndryshimet kushtetuese për gjyqësorin, të paktën kështu kanë thënë zyrtarët qeveritar.

Sipas tyre, kjo është forma e vetme, përmes së cilës pjesëtarët e komunitetit serb në Kosovë do të votojnë në referendumin që do të mbahet më 16 janar.

Ata thonë se në mjediset e banuara me shumicë serbe nuk do të ketë hapje të vendvotimeve.

E kundër vendimit të Qeverisë Kurti është Eugen Cakoli nga KDI duke thënë se Kosova nuk duhet të lëshoj pe në organizimin e referendumit në një pjesë të Kosovës, qoftë edhe përmes votimit me postë.

“Kosova assesi nuk duhet të lëshojë pe lidhur me organizimin e referendumit të Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës.  Opsionet e përmendura nga Qeveria e Kosovës për votim me postë apo në Zyrën Ndërlidhëse, ndonëse kanë mundur edhe të mos ofrohen fare, janë formë përmes së cilës Serbia detyrohet t'a pranojë që nuk ka kurrfarë juridiksioni në Kosovë” transmeton Syri.net.

Cakolli tutje argumenton se nëse vazhdojmë me qëndrim indiferent karshi këtij zhvillimi që pritet të votohet këtë të diele, do të cenohet drejtpërdrejt rendi juridiku-kushtetues i Kosovës.

“Lejimi i procesit të votimit apo qëndrimi indiferent ndaj zhvillimit të tij në çfarëdo forme këtë të dielë, do t'a cenonte drejtpërdrejtë rendin tonë juridik e kushtetues. Edhe vet praktika e lejimit të organizimit të zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë, sikur deri në vitin 2020, ka qenë totalisht gabim, e lëre më të tolerohet organizimi i referendumit për çështje të brendshme të një shteti tjetër” shkruan i shqetësuar Cakolli në Facebook.

I alarmuar është edhe ish zëvendësministri Edison Jakurti me lejimin për mbajtjen e këtij referendumi.

Ai ka reaguar duke thënë se BE-ja nuk është në tokë të bukës.

Sipas tij Serbia nuk duhet të lejuar që të mbaj referendumin e as zgjedhje në territorin e Republikës së Kosovës.

BE-ja s’është n’tokë t’bukës. Serbia s’duhet leju të organizojë as referendum e as zgjedhje në Republikën e Kosovës” shkruan Jakurti në Facebook – përcjell Syri.

Më 29 dhjetor të vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Qeveria e Kosovës është në dijeni që Serbia synon të mbajë referendum në Kosovë, porse ai nuk pajtohet për një gjë të tillë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës nuk është dakord me një synim të tillë, jo vetëm për shkak se kjo është në kundërshtim me ligjet dhe Kushtetutën tonë, por edhe për shkak se konsiderojmë që praktikat e mëhershme që i kanë aplikuar qeveritë e mëparshme, kanë qenë po ashtu në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës sonë... Ne jemi kundër dhe natyrisht që, si Qeveri, qëndrimi jonë është edhe veprim i yni”, ka thënë Kurti.

Po atë ditë, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se për moslejimin e mbajtjes së referendumit në mjediset serbe në Kosovë, do t’i drejtohet bashkësisë ndërkombëtare.

“A do të reagoni kështu në qoftë se serbët në Kosovë do të ndalojnë të marrin pjesë në zgjedhjet e tyre ose që, mos dhëntë Zoti, në veri të thonë se zgjedhje të tilla nuk do të ketë fare”, ka thënë Vuçiq.

Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, gjatë një takimi me ambasadorët e vendeve të Quint-it më 6 janar, është shprehur e pakënaqur me vendimin e autoriteteve në Kosovë për të mos lejuar referendumin

Çfarë ndryshohet në Kushtetutë?

Është propozuar që Kushtetuta të ndryshohet në seksionet Gjykatat dhe Prokuroria Publike, si dhe në disa nene të tjera që rregullojnë gjyqësorin.

“Argumenti bazë për ndryshimin e Kushtetutës në fushën e drejtësisë është fakti se Kushtetuta aktuale i lë shumë hapësirë ndikimit të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv në zgjedhjen e titullarëve të funksioneve gjyqësore”, thuhet në shpjegimin brenda propozimit të miratuar nga Qeveria e Serbisë.

Brenda këtij propozimi të miratuar vlerësohet se ky ndikim “mund të çojë në politizim të padëshiruar të gjyqësorit”.

Më 30 nëntor, ministrja e Drejtësisë e Qeverisë së Serbisë, Maja Popoviq, sqaroi se politika përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Sipas ndryshimeve në Kushtetutë, këtë do ta vendosin dy organe të pavarura, të cilat duhet të konstituohen pas referendumit.

Gjyqtarët do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, ndërkaq prokurorët nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve.

Këshilli i Lartë Gjyqësor është një organ i pavarur, autonom, i cili tashmë ekziston, por me ndryshimet në Kushtetutë, anëtarët e tij do të rizgjidhen sipas një procedure të re.

Sipas Kushtetutës aktuale, të miratuar në vitin 2006, gjyqtarët janë zgjedhur nga deputetët në Kuvendin e Serbisë për të ashtuquajturin mandat provues trevjeçar, në mënyrë që më pas, Këshilli i Lartë Gjyqësor i zgjidhte për një mandat të përhershëm.

Kur bëhet fjalë për zgjedhjen e prokurorëve, ata do të zgjidhen nga Këshilli i Lartë i Prokurorëve, si një organ i pavarur që siguron dhe garanton pavarësinë e asaj dege të drejtësisë.

Këshilli i Lartë i Prokurorëve do të zëvendësojë Këshillin ekzistues të Prokurorëve të Shtetit.

Siç ka paralajmëruar ministrja Popoviq, nëse miratohen ndryshimet, pesë anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorëve do të zgjidhen nga prokurorët, katër do të zgjidhen nga Kuvendi me propozimin e komisionit kompetent dhe me shumicë prej dy të tretave, ndërkaq prokurori i Lartë Publik dhe ministri i Drejtësisë, janë anëtarë sipas pozitës.

Prokurorët deri më tani i janë propozuar Kuvendit nga Qeveria, e cila është pjesë e pushtetit ekzekutiv.

Procedura për zgjedhjen e zëvendësprokurorëve ishte e tillë që ata zgjidheshin në parlament për një mandat të parë (për tre vjet), pas së cilës Këshilli i Prokurorëve të Shtetit i zgjidhte me mandat të përhershëm.

Kjo, praktikisht, do të thotë se deputetët e Kuvendit, të cilët janë edhe anëtarë të partive politike, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë i zgjidhnin anëtarët e dy organeve gjyqësore, ndonëse Kushtetuta e Serbisë, në Nenin 4, parasheh ndarjen e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, kur rrjedhimisht “pushteti gjyqësor është i pavarur”.

Pse po ndryshohet Kushtetuta?

Ndryshimi i Kushtetutës, i cili duhet t'i sjellë më shumë pavarësi gjyqësorit dhe prokurorisë, është një nga detyrimet e Serbisë ndaj BE-së dhe është përcaktuar në kapitullin 23 të Planit të Veprimit.

Këtë kapitull, i cili i referohet gjyqësorit dhe të drejtave themelore, Serbia e hapi në korrik të vitit 2016.

Plani i veprimit fillimisht parashikonte ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në vitin 2017 dhe më pas ato afate u zhvendosën disa herë.

Komisioni Evropian (KE) , në raportin e tij në vitin 2020, deklaroi se “shkalla e ndikimit të vazhdueshëm politik në gjyqësor, sipas legjislacionit aktual, është një çështje seriozisht shqetësuese”.

Më 28 tetor 2020, në ekspozenë e saj, në të cilën e përcaktoi punën e ardhshme të Qeverisë, kryeministrja Ana Bërnabiq tha se detyra e qeverisë së re ishte të përshpejtonte anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian dhe se hapi i parë ishte ndryshimi i Kushtetutës në pjesën e gjyqësorit.

Ndryshimet kanë të bëjnë me gjyqësorin dhe Serbia është obliguar për to në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian (BE). Siç kanë shpjeguar vazhdimisht përfaqësuesit e BE-së, qëllimi i ndryshimit të Kushtetutës së Serbisë është që të arrihet një gjyqësor i pavarur, pa ndikim politik dhe për sundim të ligjit.

Njëkohësisht,këto janë kushtet kryesore për përparimin në integrimet evropiane dhe për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Nëse ndryshimet miratohen, sipas autoriteteve të Serbisë, politika do të përjashtohet nga zgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve.