VIDEO-SYRI TV/ Fermerët e Devollit: Po falimentojmë, nuk sigurojmë dot as bukën e gojës

Çmimi i ulët dhe mungesa e tregut për shitjen e mollëve ka dëmtuar rëndë fermerët e fshatrave të Devollit. Të intervistuar nga Syri TV ata shprehen se kjo problematikë e mbartur prej vitesh nuk po merr zgjidhje.

SYRI TV

Fermerët e Devollit po shkojnë drejt falimentimit për shkak të mungesës së një tregu.

Tonelata molle kanë mbetur stok në magazina e ndërkohë një pjesë tjetër hidhen në kanale në fshatin Mançurisht. Edhe pse këtë problem e kanë ngritur çdo vit, fermerët shprehen të zhgënjyer nga qeveria pasi nuk po bën asgjë për ti ndihmuar ata.

Fermerët i bëjnë thirrje pushtetit lokal dhe qendror të marrë masa pasi nëse shitjet vazhdojnë me këto ritme të ngadalta ata nuk mund të sigurojnë dot as bukën e gojës.

Mungesa e tregut është një problem i përvitshëm për fermerët e Devollit, të cilët pavarësisht se e kanë ngritur zërin me dhjetëra herë në media, deri më tani asnjë institucion nuk ka reaguar. Të gjendur përballë neglizhencës së shtetit të rinjtë po largohen masivisht pasi kjo zonë nuk ofron asnjë të ardhur për ta.