Rekord infektimesh që nga nisja e pandemisë, por masat nuk ndryshojnë

Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të mos i ndryshojë masat kundër përhapjes së COVID-19 pavarësisht shtimit të rasteve edhe me variantin e ri Omicron të koronavirusit.

Komiteti është mbledhur për të vlerësuar situatën e pandemisë në vend në kushtet kur në po qarkullojnë të dy variantet, si Delta dhe Omicron.

Zv.Ministrja Mira Rakacolli tha: “Siç është shprehur edhe OBSH, në 6-8 javët në vazhdim pritet të preket nga ky infeksion rreth 50% e popullsisë së Evropës. Kjo organizatë këshillon të gjitha vendet që të përshtasin masat e tyre me situatat konkrete lokale dhe gjendjen e vaksinimit. Një rritje e konsiderueshme e rasteve është vënë re edhe në vend në grupmoshat e reja dhe te fëmijët, e pasqyruar në rastet aktive, në thirrjet e Urgjencës, me shtimin e vizitave tek mjeku i familjes por pashoqëruar me të njëjtin ritëm të shtrimeve në spital.”

Drejtoresha e ISHP-së Eugena Tomini, në mbledhjen e  zhvilluar në kuadër të situatës epidemiologjike bëri me dije se është vënë re një rritje e lartë e rasteve me COVID. Gjithashtu Tomini tha se këto dy javë u shënua piku më i lartë i infektimeve në dy vite pandemi.

Treguesit flasin për një tjetër valë së bashku me vendet e tjera të rajonit, të Europës dhe më tej dhe po aq qartë shihet edhe vlera e masave mbrojtëse, ndaj situate duhet parë jo me frikë por me një shtim akoma më të madh të vëmendjes dhe të kujdesit.

Komiteti i Ekspertëve mendon që niveli i masave mbrojtëse ne kemi, sot për sot është në përputhje me zhvillimet epidemiologjike në vend dhe sot për sot në këtë fazë nuk do të kemi ndryshime.  

Pra, do të vazhdojë që baret dhe restorantet të jenë të hapura deri në orën 23:00 dhe qarkullimi I njerëzve do të vazhdojë i lejuar nga ora 6:00 e mëngjesit deri ën orën 23:00 të mbrëmjes.

Do të vazhdojë të ndalohet grumbullimi mbi 50 veta; aktivitetet kulturore sportive në 30% të kapaciteteve dhe hyrja në Shqipëri e kontrolluar me çertifikatë vaksinimi ose test PCR deri në 72 orë përpara apo testin e shpejtë deri në 48 orë. Po ashtu vazhdon kontrolli i vaksinimit të administratës publike dhe punonjësve të qendrave tregtare. “