400 kg kokainë në mes të bananeve shtangën punonjësit, si u zbulua në Mal të Zi droga që vinte nga Ekuadori

Autoritetet policore të Malit të Zi njoftuan këtë të mërkurë se kishin sekuestruar 400 kg kokainë në pakot e importuara me banane. Autoritetet besojnë se kokaina ka ardhur nga Ekuadori në portin e Tivarit dhe ka përfunduar në depot e kompanisë së njohur në Mal të Zi, 'Voli'.

Mediat malazeze, bëjnë të ditur, se ishin punonjësit e kompanisë 'Voli' ata që njoftuan policinë për pakot e dyshuara, e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes, ku ka konstatuan drogën mes pakove të shumta.

Me urdhër të Prokurorisë Speciale të shtetit kanë nisur hetimet për këtë ngjarje dhe për kompaninë 'Voli' që është në pronësi të afaristit të njohur nga Mali i Zi, Dragan Bokan.

Kryeprokurori i Malit të Zi, Milivoje Katniq ka thënë për mediat në Podgoricë se nuk do të komentojë rastin në depon e qendrës logjistike të kompanisë “Voli”. Katniq ka theksuar se “organet kompetente shtetërore do të bëjnë një njoftim zyrtar gjatë ditës së nesërme”.

Ende nuk ka një reagim zyrtar nga autoritetet policore, as nga Drejtoria e Doganave në Mal të Zi.

Ky është rasti i dytë që brenda një kohe të shkurtër konfiskohen sasi të mëdha kokaine të fshehura në ngarkesa me banane.

Punonjësit e doganave malazeze, në bashkëpunim me policinë, në gusht të vitit të kaluar, zbuluan kamionin në portin e Tivarit, i cili transportonte më shumë se një ton kokainë.