Pioli flet për formacionin, trajneri tregon për mungesat dhe...

Stefano Pioli ka folur në prag  të duelit Milan-Genloa, ku ka treguar për skuadrën dhe përgatitjet e ekipit për këtë duel.

“Kupa e Italisë është një mundësi për ne që të shfaqim cilësitë tona dhe duhet të bëjmë më të mirën tonë në çdo kompeticion. Genoa po kalon një moment të vështirë, ndaj pres që ata të jenë shumë të vendosur për të marrë rezultat.

Duhet të jemi gati dhe të përgatitur për një paraqitje të shkëlqyer. Sheva është inteligjent, një trajner shumë i aftë dhe i uroj më të mirat në karrierën e tij. Fatkeqësisht të gjithë trajnerët kanë momente të tilla, por ai është i zgjuar dhe do të nxjerrë më të mirën nga kjo situatë e vështirë”.

Në lidhje me formacionin, Pioli shtoi: “Ibra është jashtë për këtë ndeshje dhe më vjen keq, pasi do na jepte mundësinë të freskonim ekipin gjatë lojës. Giroud do ta nisë nga fillimi, pasi është pranë gjendjes maksimale dhe do të drejtojë sulmin tonë.

Do të luajmë me formacionin më të mirë që kemi, ndaj edhe Maignan do të luajë në portë. Tatarusanu ishte me Covid-19 dhe nuk e di as nëse do të jetë në stol për këtë ndeshje.

Të gjithë ata që janë kthyer nga dëmtimet kanë nevojë të stërviten, por edhe të luajnë e të marrin minuta. Daniel Maldini po përmirësohet shumë dhe po punon fort. Ai është një lojtar më i kompletuar në krahasim me vjet dhe mund të jetë një mundësi e mirë edhe për të nesër”.