Arrestimet në protestë/ Vokshi: Janë bërë me lista të përgatitura. Gjata: Në PD kishte njerëz të armatosur

Deputetja Albana Vokshi dhe juristi Çlirim Gjata kanë komentuar për mediat arrestimet në protestën e 8 janarit 2022.

Vokshi theksoi se arrestimet janë të paligjshme dhe se janë bërë me lista të përgatitura.

Ndërsa, Gjata nga ana tjetër ka vlerësuar se brenda selisë të PD-së ka pasur njerëz të armatosur dhe se policia nuk është marrë me ta, për shkak të paktit që ekziston mes Ramës dhe Bashës për të mos i prekur.

Albana Vokshi: Arrestimet e kryera janë të paligjshme. Arrestimet janë bërë me lista të përgatitura nga selia blu, për të çuar deri në fund skenarin e bashkëpunimit Rama-Basha, për të mbajtur karrigen Lulzim Basha.

Në seli ka pasur njerëz të kërkuar nga policia dhe kriminelë, selia e PD u kthye në seli mercenarësh me pagesë. Të 18 arrestimet janë bërë me urdhër të Ramës dhe Bashës, por më 8 janar u tregua se opozita është e vendosur ndaj regjimit.

Çlirim Gjata: Policia nuk ka bërë asgjë për informacionet e sakta që ka pasur, në PD kishte njerëz të armatosur, që ishin gati të përdorin armë kundër demokratëve. Të 18 të arrestuarit dolën se nuk kishte prova për ndalim, vetë prokurori ka thënë se këtë e ka ndaluar policia, por se nuk ka asnjë provë për këtë. Ata as që kanë qenë në selinë e PD-së. Policia nuk ka bërë asgjë për grupin paramilitar që ka qenë në selinë e PD-së e asnjë nga ata nuk është ndaluar nga policia, sepse ka pasur bashkëpunim mes Bashës dhe policisë për këtë gjë.