Kosova regjistron një viktimë dhe 424 raste të reja me COVID-19

Kosova ka regjistruar një viktimë dhe 424 raste të reja me koronavirus, njoftoi Ministria e Shëndetësisë më 12 janar.

Rastet e reja dolën pas testimit të 6,360 mostrave, që i bie se 6.6 për qind e të testuarve rezultuan pozitiv në koronavirus.

Sipas njoftimit, në 24 orët paraprake u shëruan edhe 89 pacientë, ndërkaq raste aktive me koronavirus janë 2,417.

Në 24 orët paraprake, autoritetet shëndetësore kanë administruar 3,189 doza të vaksinës kundër koronavirusit.

Që prej fillimit të fushatës së imunizimit, me dy doza të vaksinës janë vaksinuar 792,605 persona. Me doza përforcuese deri më tani janë imunizuar 22,871 persona, ndërkaq me dozën e tretë 2,127.

Në Kosovë ka filluar që të jepet edhe doza përforcuese dhe ajo e tretë, për personat mbi 18 vjeç, që janë imunizuar me dy dozat e para tre muajsh.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të respektojnë masat kundër pandemisë, pasi ka paralajmëruar se situata epidemiologjike mund të përkeqësohet.

Në Kosovë, në fund të vitit 2021 u identifikua prania e variantit Omicron, që vlerësohet se është më i transmetueshëm sesa variantet paraprake.

Studimet e para kanë sugjeruar se ky variant shkakton simptoma më të lehta, por Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar kundër cilësimit të Omicronit si variant “i lehtë”./Rel/