Mallra kontrabandë nga Kosova, goditet biznesi online, 2 të arrestuar
Dy persona janë vënë në pranga pasi akuzohen se fusnin nga Kosova në Shqipëri mallra kontrabandë dhe më pas i shisnin.
Bëhet fjalë për një biznes online, që merrte mallrat e porositur në Kosovë dhe i transportonin në Shqipëri.
Policia thotë se në kuadër të operacionit policor të koduar "Online" u arrestuan në flagrancë shtetasit Bledian Zagradi dhe Aldo Rubiku.
Njoftimi i Policisë së Tiranës:
Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar ‘Online’.
Tregtonin mallra kontrabandë, vihen në pranga 2 shtetas, shpallen në kërkim 2 bashkëpunëtorët e tyre.
Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në vijim të punës dhe goditjeve të njëpasnjëshme për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative, nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, u finalizua operacioni policor i koduar ‘Online’, në kuadër të të cilit u bë arrestimi i shtetasve:
B. Z., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe A. R., 27 vjeç, banues në Durrës, të dy punonjës në një postë private.
Gjithashtu u shpallën në kërkim bashkëpunëtorët e tyre, shtetasit N. C., 42 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një poste private, dhe B. Sh., 38 vjeç.
Këta shtetas dyshohet se kalonin në kufi, duke shmangur detyrimet doganore, mallra kontrabandë të një subjekti tregtar në Kosovë, dhe më pas i shisnin ato, duke fshehur të ardhurat, te personat që i kishin porositur online në Shqipëri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve të sipërpërmendur, për veprat penale ‘Kontrabanda me mallra të tjerë’, ‘Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë’, ‘Ruajtja dhe depozitimi i mallrave kontrabandë’ dhe ‘Fshehja e të ardhurave’.