Shkencëtarët e besonin se Covid rrodhi nga laboratori në Wuhan - por kishin frikë se dëmtonin 'harmoninë ndërkombëtare'

Shkencëtarët kryesorë britanikë dhe amerikanë mendonin se COVID kishte të ngjarë që të kishte rrjedhur aksidentalisht nga një laborator, por ishin të shqetësuar se debati i mëtejshëm do të dëmtonte shkencën në Kinë. Këte kanë treguar disa emaile.

Një email nga Sir Jeremy Farrar, drejtor i “Wellcome Trust”, më 2 shkurt 2020 thoshte se "një shpjegim i mundshëm" ishte se Covid kishte evoluar me shpejtësi nga një virus i ngjashëm me Sars brenda indeve njerëzore në një laborator me siguri të ulët.

Emaili, drejtuar Dr. Anthony Fauci dhe Dr. Francis Collins të Institutit Kombëtar të Shëndetit të SHBA-së, vazhdonte të thoshte se një evolucion i tillë mund të ketë "krijuar aksidentalisht një virus të përgatitur për transmetim të shpejtë midis njerëzve".

Por një shkencëtar kryesor i tha Sir Jeremy se "debati i mëtejshëm do t'i bënte dëm të panevojshëm shkencës në përgjithësi dhe shkencës në Kinë në veçanti".  Dr. Collins, ish-drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetit në SHBA, paralajmëroi se kjo mund të dëmtojë "harmoninë ndërkombëtare".

Viscount Ridley, bashkëautor i Viral: kërkimi për origjinën e Covid, tha: "Këto email tregojnë një mungesë të trishtueshme të sinqeritetit dhe transparencës midis shkencëtarëve perëndimorë, të cilët duket se kanë qenë më të interesuar në mbylljen e një hipoteze (që ata mendonin se ishte shumë e besueshme) për arsye politike.”

Në emailet, Sir Jeremy thoshte se shkencëtarë të tjerë gjithashtu besonin se virusi nuk mund të kishte evoluar natyrshëm. Një shkencëtar i tillë ishte profesori Mike Farzan, i Scripps Research, eksperti që zbuloi se si virusi origjinal Sars lidhet me qelizat njerëzore.

Shkencëtarët ishin veçanërisht të shqetësuar nga një pjesë e Covid-19 e quajtur zona e ndarjes së Furin-ës, një pjesë e proteinës së majës që e ndihmon atë të hyjë në qeliza dhe e bën atë kaq infektive për njerëzit.

Duke përmbledhur shqetësimet e profesor Farzanit në një email, Sir Jeremy tha: “Ai është i shqetësuar nga vendi i Furin-it dhe e ka të vështirë që ta shpjegojë këtë si një ngjarje jashtë laboratorit, megjithëse ka mënyra të mundshme në natyrë, por shumë të pamundura.

"Unë mendoj se kjo përbën një pyetje që si i bashkoni të gjitha këto, nëse besoni në këtë seri rastësish, çfarë dini për laboratorin në Wuhan, sa mund të jetë e natyrshme - lëshim aksidental apo ngjarje natyrore? Unë jam 70:30 ose 60:40."

Emailet e mëvonshme treguan se deri më 4 shkurt, Sir Jeremy e kishte rishikuar vlerësimin e tij për një rrjedhje laboratorike në 50:50, ndërsa profesori Eddie Holmes, i Universitetit të Sidneit, dha një vlerësim 60:40 në favor të një lëshimi aksidental.

Emailet tregojnë gjithashtu se Bob Garry, nga Universiteti i Teksasit, nuk ishte i bindur që Covid-19 u shfaq natyrshëm. "Unë thjesht nuk mund ta kuptoj se si arrihet kjo në natyrë," tha ai.

Profesori Andreë Rambaut, nga Universiteti i Edinburgut, tha gjithashtu se vendi i ndarjes së furin-ës "më duket si i pazakontë". Ai shtoi: "Unë mendoj se të vetmit njerëz me informacion të mjaftueshëm ose akses në mostra për ta zgjidhur do të ishin ekipet që punojnë në Wuhan."

Detajet e reja dolën në dritë pasi anëtarëve të "US Republican House Oversight Committee"  u dha akses në dokumente, pasi u ankuan se përmbajtja e tyre ishte redaktuar shumë kur u publikuan sipas kërkesave për Lirinë e Informacionit.

Emailet u dërguan në përgjigje të një telekonference midis 12 shkencëtarëve, duke përfshirë Sir Patrick Vallance, këshilltarin kryesor shkencor të qeverisë, më 1 shkurt.

Emailet tregojnë se deri më 2 shkurt 2020, shkencëtarët po përpiqeshin ta mbyllnin debatin mbi teorinë e rrjedhjeve laboratorike.

Një email nga Dr Ron Fouchier drejtuar Sir Jeremy tha: "Debati i mëtejshëm rreth akuzave të tilla do të shpërqendronte në mënyrë të panevojshme kërkuesit kryesorë nga detyrat e tyre aktive dhe do t'i bënte dëm të panevojshëm shkencës në përgjithësi dhe shkencës në Kinë në veçanti."

Dr Collins, ish-drejtor i NIH-së, iu përgjigj Sir Jeremy-t duke thënë: “Unë ndaj mendimin tuaj se nevojitet një mbledhje e shpejtë e ekspertëve në një kuadër frymëzues besimi ose zërat e konspiracionit do të dominojnë shpejt, duke i bërë një dëm të madh potencial shkencës dhe harmoni ndërkombëtare”.

Institucionet që mbanin emailet i kanë rezistuar vazhdimisht përpjekjeve për të publikuar përmbajtjen e tyre.

Universiteti i Edinburgut kohët e fundit hodhi poshtë një kërkesë për Lirinë e Informacionit nga The Telegraph duke kërkuar të shihte përgjigjet e Prof Rambaut, duke pretenduar se "zbulimi do të rrezikonte shëndetin fizik ose mendor dhe sigurinë e individëve".

James Comer, kongresmeni republikan që siguroi emailet e pa redaktuara, tha se kjo tregonte se ekspertë si Dr Fauci e kishin marrë teorinë e rrjedhjes së laboratorit të Wuhan "shumë më seriozisht" sesa kishin lënë.