Mes përplasjeve të ashpra për Djokoviç, Australia përballet me valën e Omicron

Sidnej - Ashtu si miliona të tjerë në vendin më të mbyllur në planet, banori i Melburnit, Rav Thomas, kaloi me kujdes 262 ditë i mbyllur në shtëpinë e tij ndërsa pandemia COVID-19 po shpërthente.

Ai u vaksinua. Dhe babai i vetëm i dy fëmijëve gjeti mënyra për të paguar faturat pasi izolimet e Melburnit - më të gjatat e vendosura nga çdo qytet në botë - goditën kompaninë e tij të aktiviteteve.

Më pas, në tetor, kufizimet e qytetit filluan të hiqen, së bashku me makthet e Thomas. Kompania e tij filloi përsëri të prenotonte ngjarje ndërsa klubet e natës dhe baret e Melburnit u rihapën.

Dhe pastaj, Omicron mbërriti.

Varianti i koronavirusit ka përfshirë Australinë pavarësisht shkallës së lartë të vaksinimit dhe politikave të rrepta kufitare që e mbajtën vendin kryesisht të izoluar nga bota për gati dy vjet.

Këto masa, të cilat e kthyen Australinë në një utopi praktikisht pa COVID-19 në fillim të pandemisë, kanë tërhequr një vëmendje kritike pasi qeveria ka luftuar për të dëbuar yllin e tenisit që ishte i pavaksinuar, Novak Djokovic, përpara “Australian Open”. Dhe kjo ka nxitur debatet nga australianët e frustruar dhe të lodhur se pse vendi i tyre - i cili me sa duket bëri gjithçka për të ndaluar përhapjen e virusit - tani është infektuar.

“I thua popullit tënd, ‘Rri brenda në shtëpi, nuk mund të shkosh as tek kutia jote postare pas orës 20:00. për ditë e muaj me rradhë' dhe më pas i thuhet, 'OK, ne kemi bërë përpjekje të mëdha', thotë Thomas, kompania e të cilit, Anthem Entertainment, po përballet tani me humbjen financiare të radhës. “E ja ku jemi përsëri. Përsëri. Përsëri!”

Zyrtarisht, tani ka më shumë se 600,000 raste aktive në të gjithë popullsinë 26 milionëshe të Australisë, megjithëse ekspertët besojnë se numri aktual është shumë më i lartë.