Rusia dhe NATO takohen, ndërkohë që ashpërsojnë qëndrimet ndaj Ukrainës

Bisedimet midis NATO-s dhe Rusisë zhvillohen të mërkurën në Bruksel, mes pesimizmit pas qëndrimeve pa kompromis të mbajtura nga Moska dhe Uashingtoni për tensionet në Evropën Lindore.

Në sfondin e një grumbullimi të trupave ruse pranë Ukrainës, SHBA-ja hodhi poshtë një kërkesë për të ndalur zgjerimin e NATO-s dhe Kremlini tha se do të shihte shpejt nëse ia vlente edhe të vazhdonte negociatat.

Në bisedimet Rusi-SHBA në Gjenevë të hënën, Moska këmbënguli duke kërkuar garanci që përjashtonin shtrirjen e NATO-s në Ukrainë dhe vende të tjera ish-sovjetike dhe kërkoi që të tërhiqeshin dislokimet e aleancës ushtarake në Evropën Lindore.

Por Shtetet e Bashkuara i hodhën poshtë me vendosmëri kërkesat. "Ne nuk do të lejojmë askënd të mbyllë politikën e dyerve të hapura të NATO-s," tha ambasadorja e SHBA, Julianne Smith, e dërguara e vendit në Aleancë, duke vendosur një ton të ashpër për bisedimet e ardhshme me Moskën dhe duke përjashtuar çdo lëshim për zgjerimin e aleancës drejt lindjes.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov i përshkroi bisedimet e Gjenevës si "të hapura, gjithëpërfshirëse dhe të drejtpërdrejta", por theksoi se Moska dëshiron rezultate të shpejta.