Roma do të ringjallë interesimin për Granit Xhakën

Klubi italian, Roma, thuhet se do të ringjallë interesimin për mesfushorin shqiptar të Arsenalit, Granit Xhaka.

29-vjeçari ishte një objektiv kryesor për verdhekuqtë verën e kaluar, por ai përfundoi duke nënshkruar një kontratë të re me "Topçinjtë" në muajin gusht.

Megjithatë, trajneri Jose Mourinho është ende i etur për Xhakën dhe dëshiron ta ribashkojë atë me Ainsley Maitland-Niles te Roma pas nënshkrimit të mbrojtësit të krahut si huazim nga Arsenali.

Sipas medias italiane "Gazzetta dello Sport", Roma po planifikon të ringjallë interesin e tyre për mesfushorin e Arsenalit, Granit Xhaka.

Por, transferimi i yllit me origjinë shqiptare do të jetë i vështirë, pasi ai është anëtar kryesor i formacionit të Mikel Artetas.

Xhaka gjatë ditëve të fundit ka rezultuar pozitiv me COVID-19 dhe është ende jashtë fushave derisa të marr një test negativ.