Autopsia e zyrës së një ‘lideri’ që vdiq pa lindur

Sapo hyn në atë zyrë, ndalesh pak i mahnitur. Është shumë e kuruar dhe e madhe, mjaft e madhe. Është shumë e lartë, shumë. Ndriçuesit që varen gati dy metra nga tavani, përsëri janë shumë lart mbi trupin shtatlarte të të zotit të zyrës.

Dritare të larta deri në tavan fusin dritë si në një tempull, diagonalisht nga lart-poshtë. Kuadro të mëdha stolisin muret. Figura të vagullta shquhen në ato piktura me stil modern. Paksa si pasqyra të natyrës së të zotit të zyrës duken ato kuadro. Një kënd kolltuqesh të zinj në stil bazik modern atje përballë derës së hyrjes, një tavolinë e gjatë mbledhjesh në të majtë të hyrjes. Një tryeze e madhe pune atje në skajin diagonal me derën, ku rri ulur vetë Ai, pas një ekrani kompjuteri te madh.  Të duhet të ecësh deri atje, dhe kjo ecje e ngarkon emocionalisht vdekatarin e thjeshtë që hyn për ta takuar Atë, qofte edhe sa për t'i dhënë doren e, po pati fat, te bëjë një foto që ta nxjerre në rrjetet sociale.

Dy biblioteka të larta, simotra, me linja të pastra kuadrate, qëndrojnë përkundruall njëra-tjetrës, njëra në shpinë të tij dhe tjetra përballë. Librat janë të vendosur me një rregull preciz, sipas gjatësisë ose llojit të kopertinës. Ata që ndodhen në raftet e sipërme, përveç pluhurit, zor se mund t'i arrijë edhe dora e të zotit të zyrës.

Suveniret e shumtë, të vendosur përpara librave në bordin e mbetur bosh të rafteve, shpesh e bëjnë të pamundur të tërheqësh një libër për ta lexuar, pa prishur atë rregullim të kujdesshëm si prej dore bashkëshorteje në shtëpi. Pak vëmendje duke kundruar titujt, dhe kupton se rregulli i gjatësisë apo llojit të kopertinës ka vënë krah për krah tituj që bëjnë ekskursion nga politika, te ligji, letërsia, broçkulla shkrimtarësh që i dhurojnë librat që shkruajnë, apo një zhanër tjetër pa lidhje. Nuk kanë lidhje tematike me njëri-tjetrin, dhe nëse do të kishin frymë, nuk do ta kuptonin dot arsyen pse janë ngjitur sup më sup me njëri-tjetrin në atë raft. Ama ngjajnë bukur së bashku, nuk ka rëndësi brendia.

Tërhiqesh pak nga detaji i librave, dhe e gjitha të jep ndjesinë e një zyre madhështore, me linja të thjeshta skuadrate, në stil neomusolinian. Pasqyrë e një vaniteti arrogant dhe bosh. Aty në atë moment të mblidhet përbrenda përfundimi se i zoti i zyrës ka hyrë aty pa pasur në mend se një ditë mund t’i duhet të largohet.

Mesa duket Luli nuk e ka fare ndërmend këtë. Ai nuk njeh mandat periodik, ai është i përjetshëm. Ka një mision. Për atë zyrë ai është gati të bëjë marrina. Më 11 dhe 18 dhjetor 2021, Luli duhet ta kishte kuptuar qartë që zyra në PD nuk është dhoma e ndenjes ku ai rri me shapka si në shtëpinë e vet për sa kohë t’i teket. As nuk është dhomë paniku me dyer të blinduara ku fshihesh nga frika. Kush ka frikë nga anëtarësia e partisë së vet është një Makbeth politik që duhet larguar.

Bashkë me fantazmat e tij që e shtyjnë drejt errësirës.