Macron: Njerëzit që përhapin lajme të rreme duhet të çohen para drejtësisë

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se njerëzit që përhapin lajme të rreme në internet duhet të mbajnë përgjegjësi dhe mundësisht  të nxirren para drejtësisë, një çështje që po bëhet edhe më e rëndësishme përpara zgjedhjeve presidenciale të vendit në prill.

Në një fjalim në Paris të martën, Macron paralajmëroi për kërcënimin e demokracisë të shkaktuar nga mashtrimet në internet dhe lajmet e rreme. Ai sugjeroi se ligjet e reja duhet të lejojnë platformat e internetit, influencuesit dhe njerëzit që tërheqin vëmendjen në internet të mbajnë përgjegjësi në Francë, ashtu si dhe gazetarët.

“E njëjta gjë duhet të jetë edhe për mediat e huaja, të cilat janë të autorizuara të qarkullojnë lajme në territorin francez”, shtoi ai.

Një ligj i 1881-shit vendosi lirinë e shtypit në Francë dhe futi rregulla kundër shpifjes dhe gjuhës së urrejtjes. Qeveria franceze vitin e kaluar krijoi një agjenci për të luftuar mashtrimin nga jashtë dhe lajmet e rreme.