Fyese, e papranueshme! Kisha Katolike në Romë dënon ashpër flamurin nazist mbi arkivol

Kisha Katolike në Romë të martën dënoi fuqishëm si "fyes dhe të papranueshëm" një procesion funerali jashtë një kishe në kryeqytetin italian, në të cilin arkivoli ishte i mbuluar me një flamur nazist.

Fotot dhe videot e marra jashtë kishës së Shën Luçisë pas ceremonisë së varrimit të hënën janë publikuar nga portali italian i lajmeve në internet Open. Ato treguan rreth dy duzina njerëz të mbledhur jashtë kishës teksa del arkivoli i mbështjellë me kryqin e thyer, duke thirrur me krahun e djathtë të shtrirë, përshëndetjen fashiste.

Në një deklaratë të martën, Vikariati i Romës dënoi ashpër skenën dhe theksoi se as famullitari, as prifti që kremtoi funeralin, nuk e dinin se çfarë pritej jashtë pas përfundimit të meshës funerale.

Vikariati e quajti flamurin nazist me emblemën e kryqit të thyer "një simbol i tmerrshëm i papajtueshëm me krishterimin".

"Ky shfrytëzim ideologjik dhe i dhunshëm, veçanërisht pranë një vendi të shenjtë, mbetet serioz, fyes dhe i papranueshëm për komunitetin kishtar të Romës dhe për të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në qytetin tonë," tha ai.