Protesta e 8 janarit/ Hoxha: Duhet shpëtuar PD nga ky konflikt. Burimi: Yuri Kim nxiti dhunë

Gazetari Poli Hoxha dhe analisti Genc Burimi në intervistat me Skype në emisionin A Show të moderatorit Adi Krasta në Syri Tv, komentuan protestën e 8 janarit 2022.

Hoxha theksoi se nga ky konflikt duhet shpëtuar PD-ja, si partia që kishte ëndrrat e studentëve.

Burimi vlerësoi se ajo që nxiti këtë dhunë është ambasadorja amerikane Yuri Kim, që kur bëri shpalljen non grata të Berishës.

Poli Hoxha: Foltorja ishte ai zhvillim, ku thuheshin të vërteta. Por, duhet të mendojmë sot për PD-në. Është një parti që ka mishëruar ëndrrat e studentëve. Duhet shpëtuar PD-ja nga ky konflikt. Vijat e kuqe u kaluan më 8 janar. Është e dhimbshme kjo që po ndodh. Gjithë qelbi i politikanëve në 30 vjet tranzicion po shpërthen. E ajo që do ndodhë në PS do jetë akoma më e rëndë.

Genc Burimi: Basha kishte shumë frikë dje, sepse krijoi zjarr. Sikur ajo turmë të shkonte në Kryeministri, mund të ndodhte ajo që i ka ndodhur Fatos Nanos. Kim nxiti dhunën dhe fliste më pas se nuk duhej dhunë. Kim nxiti dhunë, që kur shpalli Berishën non grata. Del SHBA që thotë se nuk jeni pro meje, e kujt i duhet çfarë thotë Amerika, mund të jesh demokrat edhe pa pasur mbështetjen amerikane.