'Sali Berisha nuk ka nevojë për përkrahjen e liderëve në Kosovë, atë e do populli kosovar'

Lideri historik i së djathtës shqiptare, Sali Berisha, është shkarkuar edhe nga anëtarësia e PD-së. Ky vendimi i sotëm i marrë nga i shkarkuari Lulzim Basha, që vazhdon të qëndrojë në krye të partisë, po nxit reagime edhe në Kosovë.

Është politikania e njohur Melihate Tërmkolli, ajo që nuk ka kursyer fjalët për të përshkruar veprimet e Bashës, të cilat i quan çmenduri. 

Tërmkolli në një bisedë për Syri Kosovën ka folur për zhvilimet e fundit në PD.

Ajo komentuar shkarkimin e Berishës duke e përshkruar si akt i pështirë, karshi një figure si Sali Berisha.

“Janë të natyrshme interesimet tona për zhvillimet në Shqipëri, më saktë në PD. E kundërta do të ishte e panatyrshme, sepse ne si LDK, po flas si rugoviane, kemi deklaruar dhe janë të njohura edhe raportet tona. Po ashtu është i njohur roli historik i Sali Berishës në bërjen e Shqipërisë demokratike, në rrëzimin e komunizmit e sot në një moment një person të vijë dhe të shpallë shkarkimin e largimin e Sali Berishës nga PD që e themeloi me ekipin më të guxishëm ma anti-diktaturë, nuk ka asnjë koment, është përtej çdo norme, jo vetëm politike e kombëtare, por edhe njerëzore. Lul Basha ka marrë rrugën e vet, e që është rrugë për ta shkatërruar PD-në, natyrisht nuk ka me arritë, por kjo çfarë po bën nuk është problem vetëm për PD, por edhe për gjithë shqiptarinë, përfshirë dhe Kosovën”, thotë Tërmkolli për Syri Kosovën.

Tërmkolli nuk ngurron t’ia vë edhe epitetin e monstrës Lul Bashës!

“Një monstër, për mua, Lul Basha është vetëm një monstër që e tejkalon dhe Edi Ramën. Një monstër e tillë është e rrezikshme për Shqipërinë dhe e dëmshme”.

E pyetur se pse liderët e partive kosovare po i injorojnë zhvillimet në PD, sipas saj kjo po vjen për dy arsyje, por, që Berisha nuk ka nevojë për mbështetjen e tyre, sepse të gjithë shqiptarët janë me të.

“I kuptoj pse liderët e partive kosovare nuk i komentojnë zhvillimet në PD, sepse një pjesë e tyre e kanë bishtin e zënë me derë, një pjesë kurrë s'kanë pasur guximin as njerëzor e as politikë të thojnë një gjë. Duke pretenduar të shiten si pro amerikanë e gjoja Sali Berisha qenka në këto lista të zeza, nuk guxojnë të flasin. Sali Berisha nuk ka nevojë për përkrahje të asnjë politikani frikacak, sepse ka përkrahjen e shqiptarëve, se në Kosovë jemi të mbushur me Soros”.

Tradhti po e konsideron veprimin e Bashës edhe Kimete Berisha.

Ajo me anë të një reagimi të gjatë në llogarinë e saj në Facebook, ka thënë se të rinjtë nuk duhet të shohin se si tradhtohet personi që të krijon.

... gjeneratat e reja nuk duhet të shohin se si ti e tradhton dhe e gjuan atë që të krijon dhe të shpëton jetën, e në fund, Ti, me elegancën dhe me qetësinë më të madhe e tradhton. Dhe pasi e tradhton - nuk ndëshkohesh, veç shpërblehesh me pozita e me pare për tradhti. Lulzim Basha duhet të poshtërohet për tradhti. Sepse, tradhtia dhe mosmirënjohja janë veprimet më të shëmtuara që mund të bëjë njeriu. Nëse legjitimohet dhe shpërblehet mosmirënjohja dhje tradhtia, atëherë çfarë kuptimi ka jeta?”, thekson Kimete Berisha.

Në anën tjetër, edhe njohësi i zhvillimeve politike në Tiranë, Bardhyl Hasanpapaj tha se Sali Berisha është i vetmi që mund ta shqetësojë Edi Ramën politikisht.

“Sali Berisha është i vetmi që mund ta shqetësojë Edi Ramën politikisht. Lul Basha ka qenë vetëm kryetar kukull, e që tani as i tillë so. Sali Berisha është lider për kauzë politike që mund të dridhë rahatinë politike të Ramës. Rama ka filluar të frikësohet nga ajo që po bën Berisha që veç se e mori PD-në sërish”, tha Hasanpapaj.

Përjashtimi nga Grupi Parlamentar, pasi SHBA e shpalli ‘non grata’ Berishën, pa publikuar as edhe një fakt të vetëm, edhe pse ka tetë vjet që ai nuk është më në pushtet në Shqipëri, ishte motivi që nxiti Berishën të nisë një seri foltoresh duke iu kthyer elektoratit demokrat, të harruar thuajse fare nga Basha.

Protesta e 8 janarit është edhe një dëshmi më shumë për të parë se në çfarë rruge e ka shtyer Basha PD-në. / Syri Kosova - Albionë Zhitia