Kryeparlamentari i Bullgarisë infekton gjithë qeverinë: Presidenti, Kryeministri dhe ministrat me Covid

Kryeministri i Bullgarisë Kiril Petkov, Presidenti Rumen Radev dhe zyrtarë të tjerë kanë hyrë në karantinë pasi kanë qenë në kontakt me kryetarin e parlamentit, i cili rezultoi pozitiv me Covid.

Bullgaria ka shkallën më të ulët të vaksinimit në Bashkimin Evropian, me ekspertë që fajësojnë besimin e ulët te autoritetet dhe teoritë e përhapura të konspiracionit.

“Kryeministri Kiril Petkov është në izolim… ai vazhdon të punojë në distancë”, tha zyra e shtypit e qeverisë.

Zyra e Radev tha gjithashtu se presidenti dhe anëtarët e administratës së tij ishin të izoluar, por shtoi se ata ishin "të gjithë në gjendje të mirë shëndetësore".

Kryeparlamentari Nikolla Minçev rezultoi pozitiv me Covid-19 pasi mori pjesë në një mbledhje pesëorëshe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të organizuar nga Radev të hënën pasdite.

Bisedimet u ndoqën nga ministra kryesorë - duke përfshirë atë të Brendshëm, të Mbrojtjes dhe të Financave - si dhe ligjvënës dhe zyrtarë të sektorit të sigurisë.

Kryeinspektori shëndetësor Angel Kunçev tha se të gjithë ata kishin hyrë në karantinë.

Varianti Omicron po nxit një rritje të re të rasteve, me 5,219 pacientë në spital të martën dhe 570 në kujdes intensiv.