Pazari politik, plehrat, mediet, ose palaçot që vjedhin së bashku

Nuk më vjen aspak mirë të shkruaj këto radhë. Kam rreth 30 vite që punoj në media dhe që ha bukë me këtë profesion të nderuar e të respektuar prej shumë kujt e për shumëçka.

Por ditët e fundit llahtaria e publikimit të listave të pagave ka nxjerrë në pah edhe të vërtetat e mëdha të blerjes, përdorimit dhe manipulimit të medies nga pushteti dhe klanet e tyre të zhvatjes se parasë publike. Nga një skandal në tre ditë prodhohet për të bërë të mundur që njerëzit të harrojnë aferën e inceneratorëve. Por është një “ftua” që nuk kapërdihet lehtë.

Dhe pa aspak çudi kur shikon listën e medieve që janë sponsorizuar me para nga biznesi shumë i dyshimtë, korruptiv dhe i manipuluar, del në konkluzionin se janë paguar ato “çerdhe” që vazhdimisht sulmojnë opozitën e në mënyrë të veçantë ish- kryeministrin Sali Berisha dhe mbështetësit e tij. Pra janë ai klani i medieve që kanë një lidhje të ngushtë me Sigurimsat e dikurshëm dhe me qeveritarët e sotshëm.

Një blerje shqeto

Nuk ka ndonjë arsye se pse një firmë që ka monopolin e trajtimit të mbetjeve të bëjë reklame për të mbushur mendjen zyrtarëve që po e bën “mirë” punën e saj. Pra vjedhjen e radhës.

Lekët e shqiptarëve janë dërguar te kjo kompani që të paguhet media e fëlliqur dhe e kapur për zverku nga krimi dhe korrupsioni. Ky është një alarm për demokracinë dhe një tjetër goditje pas shpinë për integrimin e Shqipërisë. Një goditje e iniciuar nga Edi Rama, e mbështetur haptas nga Lulzim Basha dhe kaluar në heshtje nga ata që marrin më pak nga kjo skenë e mirëfilltë mafioze e ndikimit të pushtetit në medien e lirë.

Të gjitha pushtet të kapura nga hajdutët

Pasi bleu votat dhe vodhi zgjedhjet, mori pushtetin legjislativ. Pastaj konturoi pushtetin ekzekutiv sipas shijeve të tij. Ndërkohë reforma “Soros” po i jepte krah për kapjen e drejtësisë. Pushtetin e katërt si shtyllën me solide të demokracisë e bleu me paratë e plehrave për plehrat. Ky nuk është vetëm skandali më i madh i 30 vjetëve demokraci e tranzicion, por një gjë e tillë është fenomen që duhet studiuar pasi nuk ka asnjë shembull në asnjë vend të botës së parë, të dytë, të tretë apo të katërt. Kur pothuajse e gjithë media financohet dhe sponsorizohet nga një skemë tipike mafioze. Dhe asnjë prej “kolegëve” të pafytyrë nuk kërkojnë as falje apo të bëjnë një hap pas. Jo ore..., por dërgojnë faturat për pagesat e radhës nga kodrat e plehrave që të mbyllin haletë e tyre duke sulmuar Sali Berishën dhe lëvizjen e tij në mbrojtje të pluralizmit shqiptar.

Blerja e opozitës

Dikush kishte dyshime por rrethimi i selisë së PD me policë, ishte një fund i lumtur për Bashën dhe suitën e tij bandito - politike. Tani nuk ka askush asnjë dyshim se opozita e ngujuar në selinë e PD, është totalisht e blerë dhe në pazar me kreun e qeverisë. Pra paraja e pistë por edhe ajo para e taksave të shqiptarëve po i jep pushtetin e madh Edi Ramës duke shkatërruar demokracinë dhe pluralizmin. Dhe në krah të kësaj lëvizje të gjerë anti-demokraci janë mediet e blera dhe të ushqyera nga “Plehrat”. Pra e keqja nuk ka emër tjetër veçse pazar. Në çfarë vendi të botës një opozitë voton dhe, miraton kërkesat e qeverisë për të marrë borxhe. Vetëm në Shqipëri. Pasi këto para të marra borxh e që duhet ti paguajnë shqiptarët, i vjedhin së bashku.

Dhe frika e madhe e këtij pazari të madh që furçohet edhe nga ndonjë diplomat, është lëvizja e Sali Berishës. Një lëvizje në të cilën shqiptarët e besojnë të kthejë edhe pluralizmin edhe shpresën e shqiptarëve që një ditë të bëhen pjesë e Europës. Ndërkohë natën si kusarët një grup të përjashtuarish me votë nga demokratët të mbrojtur me banditë dhe FNSH-të e Ramës, luan lojën e pistë të përjashtuesve.

Por lajmet e njëpasnjëshme që mediet janë paguar nga kompania e inceneratorëve janë lajmi i radhës më i zi për shqiptarët. Aty tek plehrat, shohin imazhin e atyre që shikojnë në televizion çdo natë dhe atyre që me mendjen e tyre të ndritur janë pjesë e pazarit që të ç’nderon profesionin. Pra gjithçka vjen erë të keqe.