VIDEO/ Plagosja e Alban Hoxhës, Nishani: Autori i vërtetë është Basha

SYRI publikoi dje videon e plagosjes së kryetarit të grupseksionit 8 të PD në Kombinat, Alban Hoxhaj gjatë protestës te PD.  Ai u godit nga një armë shotgun e Policisë së Shtetit, që hedh bombën e gazit lotsjellës, e cila e preku në ballë. Hoxhaj mori plagë të rënda në kokë e cila i shkaktoi hemorragji, duke i rrezikuar edhe jetën. 

Lidhur me ngjarjen e rëndë reagoi edhe ish-presidenti Bujar Nishani.

"Një akt i rëndë kriminal nga pjestarë të forcave të policisë mbi anëtarët dhe veprimtarët e Partisë Demokratike në selinë e tyre.

Goditja e drejtpërdrejtë me armë mbi kokën e civilëve dha pasoja të rënda për jetën e Alban Hoxhës, drejtues i strukturave të PD në Tiranë.

Autori i vërtetë i këtij akti masakre është Lulzim Basha, që përtej të qenit një kukull ordinere e Edi Ramës, një peng i aferave të tmerrshme korrupsioni, është sot armiku më i egër i demokratëve dhe patriotëve të këtij vendi. Lulzimi i hajnisë shpreson se Edi Rama do të mbretërojë përjetë në pushtet dhe hajnia e tradhëtia e pengut do të shpëtojë pa u përballur ne ligjin dhe demokratët.

Ky është vetmashtrimi më i madh që i bën vetes simboli i mashtruesit ordiner.

PD po ringrihet për të shpëtuar Shqipërinë!" shkruan Nishani.