700 mln euro për të forcuar autokratët/ Pse BE nuk përdori kurrë shkopin?

Audituesit e Bashkimit Europian kanë publikuar një raport bombastik, që po bën xhiron e medieve ndërkombëtare.

Në raport thuhet se BE ka hedhur qindra miliona euro për të përmirësuar sundimin e ligjit në vendet e Ballkanit Perëndimor, por kjo ndihmë jo vetëm që nuk ka dhënë fryte, por ka forcuar autokratët.

Juhan Parts, personi që ka përgatitur raportin thellësisht kritik, thotë se janë shpenzuar 700 milion euro për 6 vite, por sërish kjo ndihmë nuk ka dhënë rezultate.

Në këto vende, përfshi Shqipërinë, problemet më të mëdha mbeten pavarësia e gjyqësorit, përqendrimi i pushtetit, ndërhyrja politike dhe korrupsioni.

Audituesit e BE-së thonë se problemi është se BE ka përdorur shpesh shumë karotën dhe aspak mjaftueshëm shkopin kur ka parë se investimet e saj kanë dështuar që të sjellin një ndikim në shoqëri.

“BE-ja e ka shfrytëzuar shumë rrallë mundësinë e pezullimit të ndihmës nëse një përfitues dështon të respektojë parimet themelore të demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektimit të të drejtave të njeriut,” thuhet në deklaratën e audituesve.

Kujtojmë se mediat kanë akuzuar vetë Komisionerin për Zgjerimin, Oliver Varhelyi se ka zbukuruar situatën politike në këto vende në raportet e tij.