FOTO/ Vdekja e 3-vjeçarit në Fier: Zbardhet dëshmia e edukatores

Gjykata e Shkallës së Parë në Fier pritet të japë paraditen e sotme në orën 10:30,  masën e sigurisë për edukatoren 27-vjeçare R. Binjaku, arrestuar pas vdekjes së fëmijës 3-vjeçar në kopshtin privat ku ajo punonte.

Ndërkohë, është zbardhur dëshmia e edukatores para grupit hetimor se si ka ndodhur vdekja e fëmijës .

Kanë kaluar pesë ditë nga ngjarja shumë e rëndë në një kopsht privat në Fier ku një fëmijë u gjet i varur në ambientet e kopshtit.

Sipas burimeve nga grupi hetimor mësohet se ditën e premte fëmija 3-vjeçar është paraqitur në kopsht si zakonisht.

Sipas burimeve, fëmija me edukatoren R. Binjaku 27-vjeçare kishte një marrëdhënie jashtëzakonisht shumë të mirë e shumë të dashur sikurse edhe Donalda Kodheli, e ëma e fëmijës, me të.

Ishte një fëmijë shumë i dashur dhe i shkathët, mësohet të ketë thënë edukatorja para grupit hetimor. Fëmija qëndronte në kopsht pasi  hante ushqim, por dhe flinte së bashku me fëmijët e tjerë.

Atë ditë babai i fëmijës Arjol Kodheli ishte paraqitur në zyrën e financës dhe kishte kryer pagesën mujore të fëmijës për kopshtin dhe edukatores i kishte thënë që ta bënte gati, pasi rreth orës 13 do të shkonte vet që ta merrte.

Në kohën që ora po shkonte 13 dhe babai do të paraqitej në kopësht për të marrë fëmijën, edukatorja e kishte bërë gati, e kishte veshur dhe e kishte lënë në korridor afër portmontosë, ku ndodhej çanta, pasi një fëmijë tjetër nga grupi i saj po qante. Ky ka qenë dhe momenti fatal. Edukatorja kishte shkuar brenda në klasë për të parë se çfarë kishte ndodhur me fëmijën tjetër, pse po qante dhe e ka qetësuar atë.

Kur është rikthyer për tek fëmija 3-vjeçar që e la në korridor pranë portmontosë ,e ka gjetur atë të varur tek varësja ku fëmijët linin xhupat dhe çantat.

Janë munduar që ta sjellin në jetë duke i dhënë ndihmën e parë por njëkohësisht kanë njoftuar përgjegjësen, stafin e më tej administratorin.

Po këto burime pohuan se fëmija ka hipur në pjesën ku lihen këpucët që të marrë çantën nga varësja, por aty ka rrëshqitur duke i ngecur kapuçi në varëse, gjë që i shkaktoi mbytjen  dhe ka bërë që të ndërrojë jetë.

Policia shkoi në vendin e ngjarjes dhe sekuestroi serverin me pamjet filmike ndërkohë që fëmija kishte mbërritur  pa jetë në spitalin e Fierit. Nga këqyrja që u bë kufomës mësohet se në trupin e tij nuk ishte gjetur asnjë shenjë në trup përveç shenjës që kishte lënë të pjesën e gushës kordoni i kapuçit të xhupit.

Po këto burime pohuan se ambientet e kopshtit survejohen me kamera si salla e lojërave, salla e ngrënies, sallat e mësimit, por i vetmi vend 4 metra i gjatë midis klasave ku fëmijët lënë xhupat dhe çantat dhe nuk rri njeri, nuk kishte kamera dhe aty ndodhi ngjarja në fjalë.

Nga deklarimet e edukatores në Polici mësohet se në ditën që ka ndodhur ngjarja në klasën ku ajo kryen mësim ka pasur pesë fëmijë.

Edukatorja ka mbaruar arsimin e lartë për profilin e punës, është punësuar konform rregullave dhe i paguheshin edhe sigurimet shoqërore. Mësohet se ajo jetonte në Levan të Fierit me të vëllanë, pasi disa vitesh i kishin ndërruar jetë prindërit.  

Fundjavën që ndodhi ngjarja do të kryente ceremoninë e fejesës.

Nga ana tjetër, në ambientet e kopshtit privat ku ndodhi ngjarja një ekip kontrolli i Ministrisë së Arsimit ka mbërritur mesditën e djeshme për inspektim dhe pritet që të nxjerrë rezultatet.

Prindërit dhe familjarët e vogëlushit kërkuan dje që të shikonin pamjet filmike për t’u qetësuar dhe për të mësuar të vërtetën nga prokurori i çështjes dhe ata kërkojnë drejtësi.